E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunimi shqiptaro-italian fiton çmimin e parë

Autori i Lajmit: red.
Qyteti i Barit, Itali, prej vitesh nuk kishte pasur një atmosferë të tillë. Prej vitesh nuk ishte ndjerë qyteti më i rëndësishëm i Italisë, epiqendra e artit dhe e kulturës. Të mbledhur për dhjetë ditë rresht, në ambientet e Fiera del Levantes, 46 vende të ndryshme nga Evropa dhe Mesdheu ekspozuan punimet e tyre, shkëmbyen eksperienca dhe krijuan bashkëpunime. Për të tretën herë, në edicionin XIII të kësaj bienaleje, arti shqiptar prezantohet me zhanrin e baletit me balerinët Jonida Onuzi, Erald Zela, Arjan Sukniqi, me zhanrin e filmit të regjisorit Irvin Muçaj, teatër nga Kled Kapexhiu dhe aktore Olta Daku, video art nga Leonard Qylafi dhe performancë nga Elsa Martini. Gjatë ditëve të organizimit të kësaj bienaleje, nga data 22-31 maj 2008, përveç aktiviteteve, ekspozimeve të veprave të artistëve të 46 vendeve, artistët patën mundësinë të merrnin pjesë dhe në seminare e konkurse të ndryshme. Regjisori Irvin Muçaj, në bashkëpunim me regjisorin italian Masimo Federiko, fituan çmimin e parë të dhënë nga Puglia Film Commition, në konkursin e organizuar për skenarin më të mirë, në të cilin morën pjesë 30 regjisorë të vendeve të ndryshme. Skenari fitues nga këta dy regjisorë, do të nisë të xhirohet së shpejti në Pulia të Italisë. Kjo ishte edhe një nga arritjet më të mëdha që përfaqësuesit shqiptarë kanë arritur në tre vitet që kanë marrë pjesë në këtë eveniment ndërkombëtar.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›