E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekreti i Presidentit, Mustafaj kundër Berishës

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Berisha duhet ta kuptojë qartë tashmë se Bamir Topi është President i Republikës dhe nuk është më nënkryetar i PD-së dhe nuk ka asnjë arsye se, nëse vetë presidenti Topi gabon, ai vetë duhet t i kërkonte takim dhe të diskutonin për kandidaturat eventuale dhe të këshilloheshin”

Përplasja Presidencë-Kuvend shton polemikat brenda selisë blu. Deklarata e hapur e kreut të Qeverisë, Sali Berisha, kundër dekreteve të Presidentit të Republikës, por dhe kërcënimet e tij për deputetët demokratë, nuk kanë frenuar këta të fundit që të shprehin mendimin kundër. Deputeti i PD-së, njëkohësisht anëtar i kryesisë, Besnik Mustafaj, ka kritikuar deklaratat e Berishës kundër presidentit Bamir Topi. Mustafaj i ka kujtuar Berishës se tashmë Bamir Topi është President dhe jo nënkryetar i Partisë Demokratike. Deklarata e anëtarëit të kryesisë së PD-së vjen një ditë pasi kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar Demokrat është shprehur kundër dekreteve të Topit, duke pohuar se ai më parë duhet të ishte konsultuar. Mësohet se Berisha ka shkuar edhe më tej duke i vënë deputetët demokratë para dy alternativave: ose me të, ose në zgjedhje të parakohshme.
Mustafaj
Mustafaj sqaroi dje se Sali Berisha si kryetar i mazhorancës e ka ditur me kohë se kur skadonte afati i këtyre gjyqtarëve dhe se kur fillonte procesi i përzgjedhjes së tyre, prandaj duhet të ishte informuar dhe të kërkonte konsultim me Topin. “Berisha duhet ta kuptojë qartë tashmë se Bamir Topi është President i Republikës dhe nuk është më nënkryetar i PD-së dhe nuk ka asnjë arsye se, nëse vetë presidenti Topi gabon, ai vetë duhet t i kërkonte takim dhe të diskutonin për kandidaturat eventuale dhe të këshilloheshin”, - tha anëtari i kryesisë së selisë blu. Sipas tij, Berisha ka mandatin e kryetarit të Grupit Parlamentar, ka mandatin e Partisë Demokratike dhe duhet të shkonte tek Kryetari i Shtetit. “Berisha duhet të shkonte tek ai dhe të bënte gjithë atë punë që atij i nevojitej. Kjo për mua do të thotë se në të dyja anët nuk ka ecur diçka mirë”, - theksoi Mustafaj. Dy ditë më parë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka deleguar kryetarit të këtij grupi, Astrit Patozi dhe nënkryetarit të grupit, Ilir Bano, kompetencat për të kontaktuar dhe negociuar me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, rreth shanseve për të tërhequr dekretet e çuara në Kuvend për 5 anëtarë të Gjykatës së Lartë ose për të lejuar Kuvendin t i injorojë ato. Negociatat që priten të jenë tepër delikate, për të mos thënë të pamundura, kanë radikalizuar situatën brenda Grupit Parlamentar të PD dhe kanë minimizuar mbështetjen për presidentin Topi nga mbështetës të njohur të tij, pasi Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka bërë të qartë se është i gatshëm të çojë vendin në zgjedhje, duke e konsideruar këtë gjest votëbesim për qeverinë. Berisha ka kundërshtuar dekretet e Topit, duke i konsideruar si persekutorë kandidaturat për Gjykatën e Lartë. Berisha ka dalë në mbrojtje të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke pohuar se ajo ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas kreut të Ekzekutivit, për dekretet e Presidentit, mazhoranca duhet të udhëhiqet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. “Nuk ka ndodhur kurrë, kjo është hera e parë, që një president të mos konsultohet më parë me mazhorancën dhe opozitën për dekrete të tilla”, - tha Berisha gjatë mbledhjes së ditës së hënë të Grupit Parlamentar të PD-së, pas largimit të kamerave.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›