E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e 2009-ës të bëhen me karta identiteti

Autori i Lajmit: red.
Çlirim Gjata, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka bërë një takim me studentë për të folur për sfidat që e presin këtë institucion, në funksion të ndryshimeve kushtetuese. Ai ka përmendur se standard madhor është identifikimi i zgjedhësve. “Shpresojmë që zgjedhjet e vitit 2009 të bëhen me ID, ku të gjithë shtetasit të jenë të identifikuar, duke mos u lënë hapësirë abuzimeve dhe shkeljeve” – tha Gjata. Sipas tij, problem është përfshirja e emigrantëve shqiptarë në votimin e lirshëm. “Kjo do jetë një sfidë që do të përcaktohet nga Komisioni Zgjedhor”, – vazhdoi Gjata. Ai kërkoi që procedurat për pajisjen e shtetasve me ID të mos zgjasin pafundësisht. Kreu i KQZ-së e konsideroi institucionin që ai përfaqëson si institucion gjykate. “Në përgatitjet përpara zgjedhjeve, KQZ është një institucion administrativ, ndërkohë që pas zgjedhjeve kthehet në një gjykatë të vërtetë”, - tha Gjata. Sipas tij, procesi zgjedhor tani është më i thjeshtë nga sistemi proporcional rajonal që është miratuar në Kuvend.

Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›