E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhje të reja në komunën e Kasharit

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Sulaj akuzohet për falsifikim të dokumenteve të ndarjes së tokës dhe për pajisje me vërtetim pronësie të personave të ndryshëm, jo banorë të komunës Kashar, kundrejt përfitimeve të paligjshme”

Banorët e komunës së Kasharit, brenda dy muajve, do t u nënshtrohen përsëri zgjedhjeve për të votuar emrin e një kryetari të ri. Kjo për pasojë të shkarkimit nga detyra të kryetarit aktual të saj, Alfred Sulaj. Këshilli i Ministrave vendosi dje shkarkimin nga detyra të kryetarit të komunës së Kasharit për shkelje të rënda ligjore. Në bazë të Kodit Zgjedhor parashikohet që Këshilli i Ministrave të njoftojë brenda dy javëve Presidentin e Republikës për këtë vendim të saj. Ndërsa Kreu i Shtetit, brenda 45 ditëve nga njoftimi i Ekzekutivit, duhet të marrë vendim për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë. Sulaj prej rreth 6 muajsh është arrestuar nën akuzën “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve”, “mashtrim në bashkëpunim”, etj.
Vendimi
“Në mbështetje të neneve 100, pika 2, e 115, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 42, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi dje që Alfred Sulaj, kryetar i komunës Kashar, të shkarkohet nga kjo detyrë, për shkelje të rënda ligjore”, - thuhet në vendimin e djeshëm të ekzekutivit. Aty saktësohet më tej se ky vendim hyn në fuqi menjëherë. 33-vjeçari Sulaj ka përfunduar në prangat e policisë më 1 dhjetor të 2007 pas operacionit “Kashari 2” të policisë. Së bashku me të kanë përfunduar në pranga dhe 8 persona të tjerë. Arrestimi i tyre është bërë në bazë të vendimit të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë "arrest në burg", pasi akuzohen për "korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë", "shpërdorim detyre", "falsifikim të dokumenteve", "mashtrim në bashkëpunim", etj. Sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit, nga hetimet paraprake, të kryera me metoda speciale të hetimit, shtetasit e mësipërm dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, kanë pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, jo banorë të komunës Kashar, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Madje, sipas hetimeve, personat që kanë përfituar padrejtësisht tokë, rezultojnë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve të operacionit "Kashari 2". Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të arrestuarve, policia bllokoi dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale shumë dokumente dhe formularë, që kompromentojnë veprimtarinë e tyre në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave që kryenin si përfaqësues vendorë në komunën e Kasharit.
Ligji
Kodi Zgjedhor parashikon se kur vendi i kryetarit të bashkisë ose komunës mbetet vakant, brenda dy javëve, Këshilli i Ministrave njofton Presidentin e Republikës. Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë ose komunës, brenda 45 ditëve nga data e njoftimit.

Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›