Dashuria e kitaristit të Rolling Stones me rusen 43 vjeç më të vogël
Dashuria nuk ka moshë dhe këtë fjalë të urtë duket se më mirë nga të gjithë e di kitaristi i Rolling Stones, Ronnie Wood, i cili ka marrë “arratinë” sëbashku me të dashurën e tij të re, kamarrieren ruse 18-vjeçare. Sipas tabloidit anglez “The Sun”, për vajzën e re, rrokeri ka lënë familjen dhe gruan e tij, me të cilën kishte mëse 23 vite martesë. E reja ruse, siç thonë disa burime pranë muzikantit 61-vjeçar, tashmë është transferuar në shtëpinë e tij, ndërsa e shoqja, pas 23 vitesh martesë ka bërë gati valixhet dhe është nisur për te prindërit e saj. Dashuria e madhe e Wood për biondinën ruse ka nisur para tri muajsh, kur muzikanti është takuar me të, (Ekaterina Ivanova) në Londër, gjatë një dokumentari dhe ceremonie që i kushtohej grupit të famshëm të rrokut. Ekaterina duket në qiellin e shtatë. Ajo është e lumtur për historinë e saj të re e të famshme të dashurisë. Madje tashmë, adoleshentja e ka bërë lajmin publik edhe në profilin e saj në faqet e internetit te siti “Facebook”. Më pak entuziaste duket në krahun tjetër bashkëshortja e rrokerit e cila është shprehur para medieve se “Nuk besoj që të jetë një dashuri e vërtetë dhe kaq e madhe. Eshtë thjesht një lidhje kalimtare. Ronnie po kalon pushimet duke u argëtuar pak në mënyrë të ndryshme”. I vetmi që nuk shprehet në lidhje me këtë çështje është protagonisti i saj, kitaristi i Rolling Stones, Ronnie Wood. Fundja, me përjashtim të “flakës së tij të re të dashurisë” asnjë gjë nuk po i shkon mirë kohët e fundit. Para pak kohësh ai përfundoi i shtruar në spital pas një helmimi nga pija e verës. Për shumë të afërt dhe miq tij, është pikërisht tepërimi me alkoolin dhe pijen e verës që e bën Ronnien të humbë kështu kokën dhe të bëjë aventura e çmenduri të tilla siç është “arratia e dashurisë” me 18-vjeçaren ruse. “Wood pi dy shishe vodkë në ditë. Nëse ai do të gjendej esëll, me siguri që nuk do të vepronte asnjëherë në një mënyrë kaq të papërgjegjshme”, thonë disa miq të rrokerit, të cilët gjithashtu shprehen se historia e dashurisë me adoleshenten ruse nuk ka për të pasur një të ardhme.
Gjithsesi, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim kohën të kalojë dhe të shohim zhvillimet e ardhshme, nëse kjo lidhje do të zgjasë me tej, apo nëse kanë të drejtë gruaja dhe miqtë e Wood.
14 Korrik 2008