E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesat e nxënësve nuk e kanë kaluar "normën"

Mungesat e nxënësve në shkolla nuk e kanë kaluar "normën" e lejuar. Të paktën në një klasë nuk mungojnë mbi 30 për qind e nxënësve. Vendimi për mbylljen e shkollave në vendet fqinje është marrë nga autoritetet shëndetësore menjëherë pas shtimit të rasteve të të infektuarve me grip derri, ndërkohë që ishin evidentuar mungesa të nxënësve mbi 40 për qind.

Në kohën kur mungesat në shkollat shqiptare nuk janë shumëfishuar ende, autoritetet shëndetësore janë të mendimit se shkollat nuk do të mbyllen, ose në këtë moment bllokimi i mësimit do të ishte një masë e parakohshme. Nga ana tjetër, sipas komisionit të posaçëm që monitoron situatën e gripit të derrit në vendin tonë, mbyllja e shkollave nuk ka dhënë rezultate eficiente, duke zvogëluar hartën e të prekurve nga gripi.

"Shkollat nuk do të mbyllen. Situata aktuale nuk imponon mbylljen e shkollave", tha pak ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sakaq, drejtoritë e institucioneve arsimore vazhdojnë të ndjekin të njëjtën procedurë, çdo ditë regjistrojnë mungesat e nxënësve në shkolla.

Më pas raportin e dorëzojnë pranë Institutit të Shëndetit Publik. Ky "ritual" u bë zyrtar pas një vendimi të marrë bashkërisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit para nisjes së vitit shkollor. Regjistri i të dhënave për mungesat e përditshme në shkolla është një nga pikat më të rëndësishme të monitorimit për sa i takon "matjes" së shkallës së hapjes së virozave në grupmoshat e fëmijëve. Sakaq, sipas të dhënave, mesatarisht në çdo klasë mungojnë nga 5-7 nxënës.

L. Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›