Kodi, Krerët e partive kandidatë në disa lista
Përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicioni që kanë marrë më pak se 5 për qind
TIRANË- Barazia para ligjit mbetet ende për Shqipërinë një standard për tu arrirë. Kjo pasi edhe pse jemi në vitin 2008 dhe kur klasa politike shqiptare pretendon që të realizojë një ligj zgjedhor të standardeve të demokracive të zhvilluara, përsëri në të parashikohen që të përfshihen klauzola të posaçme për të favorizuar persona të veçantë. Një përcaktim i tillë diferencues është përfshirë në pjesën e katërt dhe të pestë të draft-kodit të ri zgjedhor, dhe që përkatësisht ka të bëjë me regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe ndarjen e mandateve të deputetëve. Kështu, sipas nenit 5 të kreut të katërt dhe nenit 2 te kreut të pestë të projekt-kodit që dje u është dorëzuar për shqyrtim paraprak anëtarëve të komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore, për të qenë të përgatitur për mbledhjen që pritet të mbahet pikërisht sot, përcaktohet se krerët e partive politike bëjnë përjashtim nga rregulli që një kandidat për deputetë mund të bëjë pjesë vetëm në një listë shumë-emërore. Në këtë mënyrë pika 3 e nenit 5 të kreut që bënë përcaktimet ligjore për regjistrimin e subjekteve zgjedhore, sanksionohet se “kandidati për deputet i regjistruar në një listë shumë-emërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër”. Por në të njëjtën pikë bëhet edhe përjashtimi nga ky detyrim i kryetarëve të partive të cilët “mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend”. Ndërsa në nenin 2 të kreut ku bëhet ndarja e mandateve sanksionohet në mënyrë të detajuar favorizimi që i bëhet kryetarëve të partive, të cilët mund të shpallen deputetë në çdo rast kur forca politike që ai drejton arrin të marrë një mandat deputeti. “Kryetari i partisë i regjistruar në më shumë se sa një listë e fiton mandatin nëse lista ku ai bën pjesë ka fituar mandat dhe kur kjo listë ka marrë numrin më të madh të votave ndërmjet listave ku kandidon kryetari”, -thuhet në ndryshimet e reja të Kodit. Ndërkohë në këtë kapitull është vendosur edhe formula me anë të së cilës do të bëhet përllogaritja e mandateve që ka fituar secila forcë politike për çdo qark, që në këtë rast caktohet dhe si një zonë zgjedhore. Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të animimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel qarku. Pavarësisht se sistemi që po aplikohet në vendin tonë nuk paracakton një prag elektoral, në projekt-kodin e paraqitur në Kuvend, parashikohet që për zgjedhjet parlamentare përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicioni që kanë marrë më pak se 5 për qind të votave të vlefshme në zonë. Për ndarjen e mandateve brenda një koalicioni parashikohet të zbatohet një formulë e posaçme.