Dashuria në vitin e kolerës '97

13/02/2005 "...është shkruar prej një autoreje që e ka jashtëzakonisht të zhvilluar dhuntinë e vrojtimit, që është artiste e vërtetë e dialogut, që është njëkohësisht artiste e vërtetë e gjuhës. Në qoftë se do të kem jetë të shkruaj ende prozë, do të shfrytëzoj këtë përvojë të re krijuese që, Rudina Xhunga i ka sjellë letërsisë sonë". Ky vlerësim i lartë i bëhet Rudina Xhungës, në kopertinën e pastme të librit të saj më të ri "Sikur Ana...", roman i botuar nga shtëpia botuese "Dudaj". Ky libër është romani i dytë i koleges Xhunga dhe i treti në radhë. "Preja e një martese të lodhur", i botuar gati një vit më parë, u shndërrua në një best-seller të vërtetë, duke shitur pas katër ribotimeve, në katër javë, 4 mijë kopje. Dy ribotime të tjera do ta bënin librin më të shitur të pas viteve '90, duke hyrë edhe në tregun kosovar dhe atë maqedonas. Romani i saj i fundit është një libër për dashurinë. Sfond i ngjarjeve të romanit shërben viti i mbrapshtë '97, fajdet, revoltat e shqiptarëve, kaosi total. Një vajzë 22-vjeçare, në mes të këtij mallkimi, pret një bebe. Gjithë libri është ditari i saj me të bijën, Anën. Vajza bashkëjeton me të dashurin dhe faqet e këtij ditari rrëfejnë dëshirën dhe pamundësinë për të mbajtur një burrë dhe një fëmije. Për dashurinë e tyre, vajza kërkon shpëtim te seksi, te magjia, te falli dhe kuzhina. Të gjitha të treguara me një gjuhë të thjeshtë e të përditshme, herë-herë me nota humori të zi dhe herë- herë me gjuhë bebesh. Edhe pse ngjarja zhvillohet në sfondin historik të një viti të rëndë dhe të rrallë për shqiptarët, autorja nuk ndalon gjatë në zbardhjen e tij, as të viteve që e kanë paraprirë dhe përcaktuar '97-ën, duke i përcjellë ngjarjet shkarazi dhe në mënyrë naive prej nënës së re, që, edhe pse punon në një gazetë, e gjen të vështirë t'i shpjegojë së bijës gjëra, të cilat nuk i kupton as vetë. Por nuk është qëllimi i autores të zbardhë historinë, por të rrëfejë për dashurinë. Dashurinë në kohën e fajdeve, që, ndoshta mund të adoptohet edhe në dashurinë në vitin e kolerës '97. Një subjekt i thjeshtë në pamje të parë, por që të "përpin" faqe pas faqeje. Në vitin 2004, një zarf arrin në tryezën e punës së një botueseje. Brenda ka një disketë, ku është ruajtur një ditar i vitit '97. Dhe një letër e shkruar me dorë, ku i kërkohet ta botojë ditarin dhe t'ia kushtojë Anës. Ajo e lexon nga fillimi në fund, pa ndaluar dhe, kur mbaron, do të dijë më shumë. Kush ia dërgoi, kush e ka shkruar këtë ditar dhe nuk ka dashur të vërë emrin? Nis të kërkojë mes emrave dhe vendeve që përshkruhen në ditar mos gjen çelësin e misterit. Në fund vendos ta botojë ditarin, duke përmbushur dëshirën e prurësit: T'ia kushtojë ANES.