E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarja që "pushtoi" Vogue

13/02/2005  Emina Çunmulaj

Supermodelja shqiptare Emina Çunmulaj është shpallur ylli i ri i revistës së famshme të fotomodeleve "Elite" në SHBA, por edhe ylli më i ri i revistës prestigjioze "Vogue"

Spoti i Eminës: Shqiptaro-mania ka përfshirë planetin në sajë të dhelpërushës virgjëreshë, Emina Çunmulaj. Ajo është prezantur në të gjitha botimet e fundit të revistës së madhe të modës "Vogue", madje, disa herë edhe me dy pjesëmarrje, dhe është parë si një nga modelet më të kërkuara në botë. Sezoni i ri po bëhet gati të shijojë talentin e madh nga vendi i vogël Ballkanik

Beqir Sina (Nju-Jork, SHBA)

Topmodelja e re që jeton në Amerikë, nuk është shumë e njohur për masmediat në vendin e origjinës së saj, Shqipërinë. Por, megjithëse shumë e re dhe me një aktivitet relativisht të shkurtër, është shumë e njohur në botën e bukurisë së fotomodeleve amerikane. Nuk mund të shpjegohet rasti i kësaj topmodeleje shqiptare, e cilësuar disa herë supermodele, se si i ka "shpëtuar" gazetarëve dhe specialistëve shqiptarë. Emina Çunmulaj është shqiptaro-amerikane me origjinë, që për shumë vite, pas arratisë së familjes së saj, jetoi në Mal të Zi. Ajo është një yll i ri i revistës së famshme për fotomodele në SHBA, "Elite", duke pozuar modele ekskluzive me firma nga më të njohurat në botë, si Lisa Cant, Marc Jacobs, Anna Sui, Habitual, Carmen Kasssui, Calvin Klein, Georgio Armani dhe shumë të tjera. Çunmulaj është fituese e çmimit "Elite model search", një çmim kurajoz ky, që jepet vazhdimisht nga revista e famshme "Elite". Ajo e ka fituar çmimin me motivacionin: "Duket e çuditshme, ka një pamje gjeneroze të kombinuara mirë nga natyra, bukurinë e djemve kinezë me një fytyrë elegante, të mprehtë dhe një trup mjaft tërheqës". Vlerësimet për topmodelen me origjinë shqiptare vijnë në doza maksimale nga stilistët më në zë të kësaj "industrie", madje dhe nga ata amerikano-latinë, të cilët e kanë krahasuar bukuroshen shqiptare Çunmulaj me disa nga emrat më të njohur të botës së topmodeleve, si Isabeli Fontana, Julia Stegner, Heather Marks e shumë të tjera.

Emina Çunmulaj shprehet se është e apasionur pas basketbollit, shtëtitjeve në park dhe ç'ka është më e habitshmja është një vajzë që i pëlqen të gjuaj peshk. Në një intervistë dhënë në një revistë amerikane, ajo tregon për fëmijërinë në Mal të Zi dhe për përshtypjet e saj mbi Nju-Jorkun, qytet ku ajo banon prej disa vitesh.

Si e zbuluat jetën e fotomodeleve?

Duke parë revistën "Elite".

Si u ndjetë kur e patë veten fotomodele?

Shpeshherë njerëzit me thonin se një ditë do të bëhesha fotomodele. Një ditë, i fejuari im më printoi një foto nga një agjenci fotomodelesh dhe më tha: Mbylli sytë dhe hapi në drejtim të gishtit tim. Gishti i tij tregonte një fletë të kësaj reviste ku isha unë!

Cila ka qenë fëmijëria juaj?

Prindërit e mi emigruan në Mal të Zi kur unë isha vetëm 4 vjeçe dhe ne jetuam atje deri kur unë mbusha 16 vjeçe. Dhe prej tre vitesh jetojmë në SHBA.

Ç'ndryshim ka jeta juaj nga ajo në Mal të Zi me atë në Amerikë?

Aty ku u rrita nuk kishte parqe të bukura dhe dyqane të mëdha lodrash. Qyteti kishte vetëm një sallë kinemaje, e ndoshta, ky ishte argëtimi i vetëm. Kur erdha në Amerikë pashë nga afër rrugë dhe ndërtesa të bukura, pamjet që i kisha parë vetëm në filma.

Çfarë ju pëlqen më shumë?

Sporti. Luaj shumë basketboll dhe kam shumë dëshirë të ndjek basketbollin e NBA-së, ndërsa i fejuari im është lojtar bejsbolli. Por si hobi kam edhe muzikën, shëtitjet në park dhe të gjuaj peshk.

Çfarë të impresionon më shumë në Nju-Jork?

Më pëlqejnë gradaçelat, sheshi kryesor i qytetit "Times-Square", taksitë e verdha dhe parku natyror "Central Park“. Njujorkezët janë të mrekullueshëm, askush nuk do të dijë se nga vjen dhe se kush je, i bardhë apo i zi, ose çfarëdo tjetër. Oh! I dua shumë policët e Nju-Jorkut, duken të mrekullueshëm me uniformot e tyre dhe bëjnë një punë të madhe.

Pasaporta:

Emri : Emina

Mbiemri : Çunmulaj

Agjencia : „Elite neë“

Mosha : 19 vjeçe

Datëlindja: 12 shtator 1986

Gjatësia : 1. 80

Flokët : Kafe e errët

Sytë : Kafe

Gjerësia e gjoksit: 83 cm

Gjerësia e barkut : 60 cm

Gjatësia e këmbëve: 90 cm

Horoskopi : Virgjëresha

Kombësia : Shqiptare

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›