E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjata prej druri apo ndëshkimi i paralajmëruar

13/02/2005  Dikur, rreth dy mijë vite më parë, kur Krishti endej midis njerëzve për t'i çliruar nga mëkatet e tyre, do të shprehej se të vetmit që, ndoshta, nuk do të mundnin të gjenin prehje apo që nuk mund të faleshin në jetën e përtejme, ishin mosmirënjohësit. Ka shumë lloj mosmirënjohjeje, por, ndoshta mosmirënjohja e fëmijës ndaj prindit do të ishte ajo ç'ka asnjë fuqi hyjnore nuk do të mund ta falte. A mund të jetë prindi barrë? Kjo është pyetja që shtron para publikut drama "Pjata prej druri", premiera e së cilës u shfaq mbrëmë në Teatrin Kombëtar. Duartrokitje të pafund për të gjithë kastin e aktorëve, por mbi të gjitha për kolosin e skenës shqiptare, Sulejman Pitarkën, i cili sfidoi të gjitha ligjet e natyrës me interpretimin e tij të mrekullueshëm. Pavarësisht moshës së tij të madhe, Pitarka do të pushtonte skenën, duke mos u ndjerë aspak keq, edhe para më të rinjve, duke lëvizur dhe interpretuar me një mjeshtëri të paparë. Me një kthjelltësi të jashtëzakonshme, ai ndoqi në çdo moment lojën e partnerëve të tij, duke mrekulluar spektatorët që kishin mbushur sallën. Një dramë e sjellë me shumë sukses në skenë nga regjisori Kame dhe një interpretim të shkëlqyer nga të gjithë aktorët. Ndryshimi i emrave të personazheve, shqipërimi i tyre, të krijonte bindjen se ngjarja zhvillohej te dera ngjitur, te pallati përballë... Një plagë e rëndë prej vitesh në shoqëri të huaja, por që gradualisht po shndërrohet në një aktualitet të mprehtë, edhe për shoqërinë tonë. E ndërsa te "Streha e të harruarve" u ndeshëm me një "fakt" të kryer, te "Pjata prej druri" sheh egoizmin, cinizmin, madje, edhe "sadizmin" shpirtëror dhe, për fat të keq, jo vetëm te nusja (Rajmonda Bulku), por edhe te njëri prej djemve (Agim Qirjaqi). A kemi mëshirë "kristiane"? Sigurisht që po. Jo të gjithë kanë "degraduar" shpirtërisht në familje. Përballë një gruaje të pashpirt, egoiste, që për të arritur atë ç'ka do, nuk do të ndalet përpara asgjëje (një rol i interpretuar me shumë realizëm, madje, që të bënte ta "urreje", nga Bulku), vjen djali tjetër, i cili nuk mund ta dërgojë babain në azil, thjesht nuk mundet, por që do të dorëzohet në fund, për të "shpëtuar" atë ç'mund të shpëtohej në martesën e tij (rol i interpretuar me ndjeshmëri të lartë nga Bujar Asqeriu). Një mbesë që është gati të sakrifikojë gjithçka për gjyshin e vet, një simbol shprese, por edhe i ndëshkimit të mëkatit, kur në skenën finale do të vendosë pjatën e drunjtë të gjyshit, përpara nënës së vet, si për t'i treguar se herët a vonë "ç'të mbjellësh, do të korrësh" (rol i interpretuar bindshëm nga aktorja e re, Ermela Teli).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›