E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dasma" e Elbasanit me 5 mijë të ftuar

Sukses i jashtëzakonshëm i komedisë "Dasma" në qytetin e Elbasanit. Të paktën prej afro 15 vjetësh, kurrë nuk kishte ndodhur që një premierë humori në gjininë e komedisë të shfaqej për 12 net me radhë dhe njerëzit të ziheshin për të marrë bileta. Nata e dymbëdhjetë e "dasmës" në Elbasan ka përfunduar mbrëmë me duartrokitjet e mbi 300 shikuesve, të cilët kanë hyrë me mik për të ndjekur shfaqjen në këmbë. Shfaqja e suksesshme si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes një grupi aktorësh të spektaklit "Portokalli" dhe një grupi aktorësh të teatrit "Skampa" të qytetit të Elbasanit, ka fituar në një farë mënyre "kalendarin" më të gjatë të një premiere. Aktori i njohur, Erand Sojli, që ishte njëherësh regjisor e skenograf i kësaj shfaqjeje, arriti që të përthithë jo pak, por mbi 5 mijë spektatorë në 12 net. Udhëheqësi artistik, Edmond Rrapi, tha se "Dasma" ishte një komedi muzikore, e një forme shumë të veçantë. E bukura e saj konsistonte te gërshetimi i elementëve; aktrim-interpretim-muzikor-balet. "Dasma" ishte vepra e parë që u vu në skenë në këtë fillim viti. Përfundimi me sukses mbrëmë i 12 shfaqjeve radhazi, tregoi se nëse do ketë vepra të tilla cilësore, publiku do jetë i garantuar. Me komedinë "Dasma", trupa e teatrit "Skampa" është ringritur në majat e dikurshme të saj, pavarësisht se shikuesi elbasanas mbetet gjithmonë "tekanjoz" në kërkim të diçkaje ndryshe kur ulet në sallën e hollet e këtij teatri. Sidoqoftë , "Dasma" ka marrë notën "dhjetë" në Elbasan, e pritet që një notë të tillë ta marrë edhe në rrethe të tjera të vendit e Kosovë, ku është programuar të shfaqet.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›