E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e pazbuluar, në arkivat otomane

Në vitin 1874 Shemsesin Sami shkruante: "Për një kohë të gjatë kam ëndërruar të shkruaj një pjesë letrare me qëllim që të përshkruaj disa zakone dhe tradita të Arnavud Kavmi (popullit shqiptar), jo ngaqë jam pjesë e tij, por sepse kam qenë dëshmitar i cilësive të tyre patriotike, të tilla si dashuria për vatanin, sakrifica, mbajtja e fjalës së dhënë, duke bërë fli edhe jetën e tyre për to, cilësi të cilat ndoshta janë të përshtatshme për t‘u vënë në skenë". 15 vjet më vonë, në vitin 1889, Ahmet Xhevdeti shkruante: "Treva e Shqipërisë ka një terren jashtëzakonisht të thyer, ndërsa shqiptarët janë të ashpër dhe trima…Toskët bëjnë çdolloj pune, ndërsa gegët janë barinj që ruajnë bagëtinë".

George W.Gawrych profesor i asociuar i historisë së Lindjes së Mesme në Universitetin e Baylor-it do ta niste hulumtimin e tij për Shqipërinë, kohë pasi kishte lexuar librin e një ish-oficeri turk që fliste me dashuri për shqiptarët. Profesori i pasionuar pas historive të pathëna, në një kohë kur librat që shqiptarët, një popull që sapo kishte dalë nga një regjim totalitar komunist, mungonin në libraritë evropiane, ai merr një ditë avionin për t‘u zhvendosur disa kohë në Turqi. Për më shumë se një vit në arkivat otomane ai do të rrëmonte gjithçka që kishte për shqiptarët, për t‘i renditur më pas të gjitha këto kërkime në librin "Gjysmëhëna dhe shqiponja", një studim mbi studimin otoman, islamizmin dhe shqiptarët gjatë viteve 1874-1913 botuar në shqip nga "Bota shqiptare". George bën një vështrim të butë të kësaj periudhe, me syrin e një të huaji që kërkon të mbushë kureshtjen e tij, pa marrë përsipër rolin e një historiani që kërkon të ndreqë një gabim të historisë së shkruar keq për shqiptarët gjatë sundimit otoman. Sigurisht që kjo mënyrë të pari të kësaj historie u takon historianëve shqiptarë. Në një intervistë më poshtë, George pohon se janë me mijëra dokumentet për Shqipërinë ende të pahapura në arkivat otomane. Një fakt trishtues për një vend që ende nuk është kurioz për të kaluarën e tij, për të vërtetën e një periudhe.

Por pavarësisht mënyrës së tij të perceptimit të kësaj historie, faktet që vijnë në librin e George W.Gawrych janë vërtet interesante dhe të vlefshme për historinë tonë. George është tepër i vërtetë kur thotë se gjithë këto kërkime i ka bërë nga pasioni, një pasion që e ka futur në një nga periudhat e arta të Turqisë në Ballkan, dhe jo të tilla për vende të tjera mes të cilave dhe Shqipëria.

Gjykuar nga këndvështrimi osman "Gjysmëhëna dhe Shqiponja" trajton zgjimin e identitetit kombëtar shqiptar nga fundi i shek. 19 deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, një periudhë konfliktuale dhe tepër nacionaliste në Ballkan. Duke shfrytëzuar materialet arkivore mbi Perandorinë Osmane dhe Evropën, libri minon stereotipat e zakonshëm negativë mbi sundimin otoman, duke i dhënë një nuancë të re interpretimi. Gawrych na siguron një provë kritike, por objektive të zhvillimit të politikave qeveritare ndaj shqiptarëve nga përpjekjet për t‘i izoluar në një "fortesë të hekurt" deri në vendosjen e një sistemi të unifikuar administrativ. Ai argumenton se kjo politikë ishte më tepër pasojë e një rrjedhe të komplikuar bindjesh dhe identitetesh në konflikt të vazhdueshëm me njëra-tjetrën, sesa një përpjekje thjesht kundërshtuese mes politikës imponuese të qeverisë dhe qëndresës shqiptare.

Autori analizon me imtësi jo vetëm dukuritë e dhunës së vazhdueshme dhe keqadministrimin në krahina, por njëkohësisht u kushton vëmendje shqiptarëve për të fituar të drejta brenda komunitetit krahinor, por edhe me gjëra në rang kombëtar. Njëherazi evidentohen edhe përpjekjet e krerëve shqiptarë për të ruajtur privilegjet vendore dhe autonominë fisnore. Duke analizuar ngjarjen sipas një renditje kronologjike autori arrin në përfundimin se pavarësia e Shqipërisë është më tepër pasojë e ngjarjeve brenda dhe jashtë vendit sesa nga qëllimi dhe dëshira e vetë shqiptarëve.

Erik .J.Zucher profesor i Universitetit të Laidenit thotë për këtë libër se "është një vepër e hollësishme, një studim i cili do të jetë patjetër i nevojshëm për historianët e periudhës së vonshme të Perandorisë Otomane dhe Ballkanit". Ndërsa historiani Bejtullah Destani thotë se "ky libër është i mbushur plot me detaje të panjohura më parë dhe do të jetë një prezantim i mirë për periudhën e historisë shqiptare jo vetëm për studiuesit, por edhe për lexuesin e zakonshëm".

George W.Gawrych është autor i librave "Albatrosi i fitores vendimtare", "Lufta dhe politika mes Egjiptit dhe Izraelit gjatë luftërave arabo-izraelite në vitet 1967 dhe 1973. Është gjithashtu, bashkautor i "Forcat paqeruajtëse në Bosnjë". Ka shkruar artikuj mbi historinë e Turqisë dhe Lindjes së Mesme dhe në vitin 1989 fitoi çmimin "Biennal Award", për botimin e artikullit më të mirë mbi studimet turke çmim ky i dhënë nga Shoqata e Studimeve turke të Amerikës së Veriut. Në një intervistë më poshtë George rrëfen diçka më tepër mbi mënyrën si u gjet i përfshirë në studimet për shqiptarët në periudhën otomane dhe çfarë këshille do t‘u jepte historianëve shqiptarë që do të marrin përsipër rishkrimin e historisë…

Lexuesi shqiptar ka vetëm pak kohë që është njohur me librin tuaj "Gjysmëhëna dhe Shqiponja", ku ju flisni për sundimin otoman dhe islamizmin dhe shqiptarët...Mund të na tregoni si lindi ky libër?

U interesova për subjektin e librit tim, pasi lexova një libër të një oficeri turk, i cili kishte mësuar shqipen, ndërsa kryente shërbimin ushtarak në Shqipëri dhe i admironte shumë shqiptarët. Kërkimi im më bëri që t‘i jap një fytyrë njerëzore pushtimit otoman në Shqipëri dhe të rrëfej se si disa shqiptarë i shërbyen perandorisë e si disa të tjerë jo, madje u rebeluan kundër saj. Gjatë kërkimeve për këtë libër doja të zbuloja se çfarë mendonin zyrtarët otomanë për shqiptarët dhe Shqipërinë në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të.

Në këtë libër ju flisni për rigjenerimin e identitetit shqiptar në dekadën e fundit të shek 19-të deri në luftën e parë botërore, periudhë tejet e vështirë për shqiptarët. Cili është këndvështrimi yt për historinë shqiptare të asaj periudhe?

Eshtë një periudhë shumë e komplikuar dhe e përgjakshme, e rënduar nga imperializmi i fuqive të mëdha dhe fqinjët e vendeve ballkanike. Veçanërisht në periudhën e fillimit të shekullit XX deri në vitin 1914. Kjo ishte gjithashtu dhe periudha e rizgjimit intelektual dhe politik shqiptar. Më në fund ishte dhe periudha kur qeveria otomane bëri përpjekje të mëdha për të integruar e mobilizuar shqiptarët myslimanë në mbrojtje të shtetit...

Si është Shqipëria në studimet tuaja? Çfarë ka ende në arkivat otomane që kanë të bëjnë me historinë e këtij vendi?

Arkivat gjithnjë ndihmojnë për të pasur një këndvështrim më të mprehtë për historinë dhe mua më kanë ndihmuar në këtë aspekt. Gjatë kërkimeve që bëja për të shkruar librin, unë nisa të admiroja personalitete të historisë suaj. P.sh nisa të admiroj Sami Frashërin dhe aktualisht jam duke përfunduar një artikull që analizon mendimin e tij për gratë. Këto kërkime hapën tek unë një kuriozitet më të madh për vendin tuaj dhe dua t‘ju them se jam ende shumë i interesuar për historinë e Shqipërisë.

Çfarë mund të na thoni për periudhën komuniste dhe kush e instaloi atë?

Unë jam marrë në kërkime kryesisht vetëm me periudhën otomane. Kjo është një periudhë për të cilën unë di shumë pak dhe nuk mund të bëjë ndonjë koment për të.

Shqiptarët janë në një periudhë kur kërkojnë që historia e tyre të rishkruhet. Si historian, sipas jush, nga cila pikë duhet ta nisin ata një gjë të tillë?

Do të këshilloja që gjërat duhet të nisin me një balancim të dy këndvështrimeve. I pari ka të bëjë me studimin e shqiptarëve si qenie njerëzore dhe si njerëz me përvoja universale dhe më pas duhet hedhur dritë në natyrën njerëzore dhe përvojat humane. Më pas duhet të vijë studimi që ka të bëjë me shqiptarët si njerëz të veçantë që jetojnë në një vend specifik dhe në një kontekst historik specifik. Balancimi mes këtyre dy këndvështrimeve mënyrave të studimit e hulumtimit do të ndihmonte shumë në shmangien e ndikimeve ideologjike.

A ka ende materiale të panjohur për sa i përket historisë së Perandorisë Otomane?

Arkivat otomane ende mbajnë mijëra e mijëra dokumente të pashqyrtuara në lidhje me Shqipërinë... Shumë prej tyre ende nuk janë kataloguar. Çdo vit arkivat vënë gjithnjë e më tepër në dispozicion të kërkuesve dokumente të reja. Për të huajt është shumë e lehtë të punojnë në arkivat otomane. Nëpërmjet këtyre dokumenteve mund të zbardhen shumë pikëpyetje të historisë së asaj periudhe. Historianët duhet të fillojnë të bëjnë kërkime.

Përse otomanët ishin aq të fortë në Ballkan dhe cili është opinioni juaj për rolin e tyre sot?

Në shekujt e kaluar, otomanët zhvilluan një administratë eficente me mënyra qeverisjeje në përgjithësi tolerante dhe të decentralizuara, sigurisht në periudhat e qeta. Më pas ata nisën një sërë reformash për t‘iu adaptuar kërcënimeve nga shtetet evropiane. Fuqitë evropiane nuk ishin kurrë të unifikuara në formulimin e një politike të vetme në lidhje me Perandorinë Otomane, gjë që i dha Perandorisë Otomane mundësinë e mbajtjes së vetes përgjatë dy shekujve të zvogëlimit të territorit të saj në Evropë.

Si do ta gjykoni historinë e shkruar të Ballkanit?

Si një specialist otoman jam tepër i impresionuar nga shtimi i numrit të studimeve serioze në lidhje me Ballkanin gjatë periudhës otomane. Kjo periudhë historike po maturohet dhe po fiton integritet në fushën më të gjerë të historisë së Evropës. Unë prej për botime për të mëdha të studiuesve shqiptarë në lidhje me këtë periudhë dhe shpresoj që shumë shpejt ta vizitoj vendin tuaj.

Një dramë shqiptare vihet në Stamboll më 1874-ën

George W.Gawrych e nis studimin mbi sundimin otoman në Shqipëri me dramën "Fjala e nderit apo mbajtja e fjalës së dhënë" shkruar nga Shemsedin Sami Bej Frashëri (1850-1904) një intelektual i shquar shqiptar dhe u vu në skenë në Stamboll në vitin 1874. Kjo dramë tregon mentalitetin shqiptar të asaj periudhe, cilësitë e të cilit i bëjnë përshtypje Georges, duke u nisur nga kjo dramë për të analizuar gjithçka më tej. Shemsedin Samiu qe në atë kohë ishte vetëm 24 vjeç u bë një studiues i spikatur otoman, i cili dha një kontribut të madh si në fushën e studimeve shqiptare ashtu edhe në ato turke. Ja kush është subjekti i kësaj drame: Zyberi, një malësor i fisëm e krenar shqiptar dhe gruaja e tij, Vaideja, kishin një vajzë të quajtur, Merushe, e cila bie në dashuri me Rexhepin, kushëririn e saj të parë. Pasi zbulon dashurinë e ndërsjellë të "dy fëmijëve" të tij Zyberi bie dakord që ata të martohen. Sidoqoftë, një kthesë tragjike e ngjarjeve i ndodh çiftit ditën e martesës kur Selfoja, një shqiptar i cili jetonte në Borsh, një qytet aty pranë dhe që e donte dhe ai Merushen e rrëmbeu vajzën. Gjatë këtij akti, Selfoja e vrau Zyberin, kur i ati u mundua ta ndalonte fizikisht nga ky veprim i paarsyeshëm. Sidoqoftë, para vdekjes së tij, Zyberi arriti ta urdhëronte Vaidenë të shoqen, që të shpëtonte Merushen dhe të merrte hak për vdekjen e tij, duke i kujtuar asaj se nderi i familjes ishte në rrezik. Ndërkohë që ishte duke kryer misionin e saj të shpagimit, Vaideja shpëton jetën e një të panjohuri. Ky njeri, Fetah Aga, doli se ishte babai i Selfos, i cili po kthehej në shtëpi pasi kishte shërbyer për 20 vjet në ushtrinë otomane. Pa përmendur emra Vaideja ia zbrazi Fetahut dhimbjen që e mundonte në shpirt. Menjëherë ai dha besën që ta ndihmonte Merushen për t‘u hakmarrë ndaj vrasësit të Zyberit, pa e ditur se kjo do të kërkonte që ai të vriste të birin. Më pas sapo zbulon rrugën pa krye ku e kishte futur premtimi që bëri, madje edhe po ta bindte ndjenja atërore që të hiqte dorë nga mbajtja e fjalës së dhënë Fetahu arriti në përfundimin se nuk kishte rrugë tjetër veç të sakrifikonte të birin Selfon. Pasi e vrau djalin e ri në gjumë babai i gjorë i shpjegoi Vaidesë, Merushes dhe Rexhepit se çfarë kishte bërë. Më pas tragjedia mori një tjetër përmasë. Fetah Aga, vrasësi i të birit vrau veten për t‘u hakmarrë për aktin që kreu ndaj të birit. Para se të shqiptonte fjalët e fundit ai arriti ta urdhëronte të ëmën, e cila arriti në mënyrë të volitshme në skenën e përgjakshme që ta pranonte Vaidenë si motrën e saj dhe Rexhepin me Merushen si fëmijët e saj. Drama mbaron me këtë pajtim prekës të të dyja familjeve për shkak se sipas zakonit shqiptar drejtësia ishte shpënë në vend.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›