E Diel, 1 Nëntor 2026

Ende pa autor masakra e së shtunës

Pakistan

Ministri i Brendshëm i Pakistanit thotë se bomba e përdorur për shpërthimin e dy ditëve më parë në një hotel në Islamabad, ishte mjaft e sofistikuar dhe sulmi ishte i koordinuar mirë. Rehman Malik tha dje në komentet për shtyp se 53 vetë, përfshirë 4 shtetas të huaj, u vranë kur një person përplasi makinën e tij të mbushur me 600 kilogramë lëndë plasëse në hotelin Marriot në kryeqytet. Të paktën 250 vetë u plagosën nga shpërthimi dhe zjarri i shkaktuar prej tij. Videoja e kamerave të sigurimit në hotel tregon se autori i sulmit u përpoq pa sukses të thyente me kamionin e tij portën e jashtme të hotelit. Pamjet e regjistruara tregojnë se rojet u përpoqën të shuajnë flakët e kamionit para se të ndodhte shpërthimi para hotelit. Zoti Malik thotë se askush nuk është arrestuar, por zyrtarët dyshojnë se incidenti ishte vepër e ekstremistëve talebanë që kanë lidhje me al-Kaidën. Kryeministri Jusuf Raza Gilani i ka bërë thirrje kombit që të izolojë keqbërësit, që përpiqen të destabilizojnë demokracinë dhe ekonominë e Pakistanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›