E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e doganierëve grekë bllokon kufirin

KAPSHTICE/KAKAVIJË- Dita e sotme pritet të fillojë me pezullimin e punës në pikën kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, shkak për këtë do të jetë greva që ka përfshirë tashmë pikat kufitare me shtetin grek. Ky informacion është konfirmuar nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Emigracionit, sipas të cilës tashmë është njoftuar për bllokimin e punës për 24 orë në këto pika kufitare, duke filluar që prej orës gjashtë të ditës së sotme. Sipas informacioneve greva do të nisë fillimisht për 24 orë, e më pas nëse shteti grek nuk do të ketë asnjë reagim në lidhje me kërkesat qe doganierët kanë, kjo do të zgjasë edhe 24 orë të tjera. Sipas Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Emigracionit bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të ardhshme të ditës së sotme do të kenë mundësi të kalojnë në pikat kufitare drejt shtetit grek vetëm këmbësorët, automjetet të cilët do të kenë ngarkesa ushqimore dhe ndonjë rast emergjence civile. Ndërsa për sa u përket mjeteve të vogla, autobusëve por edhe kamionëve të shumtë do të jenë të bllokuar deri në rifillimin e punës. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë kufitare të Kapshticës mësohet se pala greke ka njoftuar se greva e tyre mund të zgjasë 48 orë, çka do të sjellë më shumë vështirësi në anën shqiptare, por edhe atë greke të kufirit. Kjo është greva e tretë e përfshirë brenda harkut kohorë prej dy javësh në pikën kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës nga dogana greke. Greva ka nisur në fillim me një orar prej tetë orësh duke rinisur sërish ditën e sotme, më pas ka kaluar në 24 orë. Ditën që ajo ka qenë 24 orë ka krijuar radhë të gjata me automjete në pikat kufitare të Shqipërisë me shtetin grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›