Mjekët braktisin rajonin e Pukës
PUKË- Shërbimi shëndetësor në rrethin e Pukës ka probleme që lidhen me mungesën e mjekëve specialistë. Kjo pohohet nga drejtues të pushteti vendor në këtë rreth malor, të cilët theksojnë se mjekët specialistë në këtë rreth mungojnë, madje dhe ato që janë kanë tendencë të largohen sa më shpejt që ta kenë të mundur drejt Tiranës. Sipas nënprefektit Dedë Përshpali, lëvizjet demografike të viteve të fundit kanë ndikuar dhe në largimin e mjekëve specialistë drejt Tiranës apo qyteteve tjera më të mëdha, ku ato kanë gjetur mundësi punësimi në sektorin shtetëror apo privat. Përveç kësaj, ka një numër në rënie të nxënësve pukjanë që arsimohen në fakultetin e mjekësisë, kjo për shkak të konkurrencës së madhe për këtë fakultet, ndërsa mundësitë ekonomike të banorëve të Pukës që fëmijët e tyre të studiojnë në universitete private, janë të pamundura. “Aktualisht ne kemi mjekë për specialitetet kryesore, por dhe pse numri i popullsisë në këtë rreth ka rënie, numri i mjekëve është i pakët në raport me të, dhe shqetësim mbetet mungesa e mjekëve specialistë”,- thotë Përshpali. Po përveç mungesës së mjekëve specialistë, në këtë rreth me terren të thyer malor ka probleme dhe me shërbimin shëndetësor publik, pasi gatishmëria teknike e mjeteve për transportin e të sëmurëve nuk është në shkallën e duhur. Autoambulancat pësojnë defekte të shumta për shkak të rrugëve të fshatrave malorë dhe terrenit të thyer. Qendra shëndetësore dhe autoambulanca ka në çdo komunë me përjashtim të asaj të Fierzës, por niveli teknik i këtyre mjeteve është i ulët, pasi ka rrugë si ato të komunës Iballë, që janë mjaft problematike. “Në raste urgjente kemi pasur ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë që na ka dërguar helikopterë për të transportuar të sëmurë nga zona të thella të këtij rrethi, dhe nuk kemi pasur asnjë rast me pasoja të rënda për shkak të mungesës së mjeteve të transportit”,- thotë Përshpali. Ndërsa Mirash Lulashi, banor i qytetit të Fushë – Arrësit shprehet se në qytetin ku ai jeton ka katër autoambulanca, por të sëmurët marrin taksi ose përdorin mjetet e tyre private për të shkuar në spitalin e Pukës apo më tej. “Ka shërbim shëndetësor, ka mjekë por për raste urgjente duhet ta zgjidhësh privatisht problemin”,- shprehet Lulashi.