E Diel, 1 Nëntor 2026

Putin sfidon Europën për Kaukazin

Rusi

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se vetëm Rusia, Osetia e Jugut dhe Abkhazia mund të vendosin për numrin e trupave që Moska mban në territorin e shteteve të shkëputura nga Gjeorgjia. Zoti Putin përsëriti tezën ruse për njohjen e territoreve të shkëputura, duke e krahasuar atë me rastin e Kosovës. "Ne e njohëm pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë në të njëjtën mënyrë sikurse shumë vende europiane njohën pavarësinë e Kosovës, gjë që ne besonim se ishte absolutisht e pabazë dhe shkelje e normave ekzistuese të ligjit ndërkombëtar. Kutinë e Pandorës nuk e hapëm ne", tha kryeministri rus, Vladimir Putin. Zoti Putin tha se çështja e pranisë së forcave të armatosura ruse në Osetinë e Jugut dhe Abkhazi do të vendoset mbi baza dypalëshe, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në bazë të marrëveshjeve mes Rusisë dhe "këtyre shteteve", siç i quajti ai. Deklarata e kryeministrit rus u bë pas bisedimeve me homologun e tij francez, Francois Fillon. Komentet e fundit të zotit Putin bien në kundërshtim me atë që ishte rënë dakord në marrëveshjen e armëpushimit, të negociuar nga Presidenti i Francës, Nicholas Sarkozy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›