E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, kapet italiania me heroinë në makinë

Mirjana Nisanoviç ruhej prej kohësh nga agjentët e policisë pasi dyshohej se trafikonte drogë. Pranga në Murriqan

SHKODËR- Policia e Shkodrës ka kapur në orët e para të ditës së djeshme në pikëkalimin kufitar të Muriqanit një lëndë në gjendje pluhuri që dyshohet se është heroine. Ajo është gjetur në një makinë që do të kalonte për në Mal të Zi. Burimet e policisë pohuan se ka qenë ora 02.00 e së dielës, kur në pikëkalimin kufitar të Muriqanit është ndaluar dhe i është bërë kontrolli përkatës një automjeti tip Volsvagen Golf me targa italiane. Makina drejtohej nga një shtetase 36- vjeçare. Brenda mjetit, të fshehura në pjesë të ndryshme të tij, janë gjetur gjashtë qese me pluhur që dyshohet se është lëndë narkotike e tipit heroine. Burime të drejtorisë së policisë së Shkodrës theksojnë se ka qenë një operacion i organizuar kohë më parë dhe dje është kryer vetëm finalizimi i tij. Hetuesit kanë mësuar në rrugë operative për mundësinë e lëndës narkotike në automjetin e 36 -vjeçares me kombësi nga Bosnja dhe me shtetësi italiane, Mirjana Nisanoviç. Mësohet se shtetasja e huaj ka qenë nën vëzhgimin e policisë dhe lëvizjet e saj janë ndjekur në distancë nga uniformat blu. Kur është parë se ajo po i drejtohej pikëkalimit kufitar të Muriqanit, ku nga Shqipëria do të kalonte në Mal të Zi, është bërë ndërhyrja për ndalimin e kontrollin e saj, pikërisht në këtë pikëkalim. Aty është gjetur dhe pluhuri i paketuar në gjashtë qese me peshë nga 300 deri 800 gram secila. Mjeti, së bashku me lëndën e gjetur dhe shtetasen boshnjako- italiane është shoqëruar drejt Tiranës, pasi do të jetë Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ajo që do kryesojë hetimet e kësaj çështjeje. Mësohet se lënda e gjetur do t’i nënshtrohet analizave përkatëse, nga ku do mësohet nëse është lëndë narkotike apo jo. Burime nga polica e Shkodrës nuk japin informacion zyrtar lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›