E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dasma kthehet në mort, vdes një grua

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Të shtënat për gëzim e kanë kthyer në mort dje një dasmë në fshatin Rrabishtë të Lezhës. Një dasmore ka mbetur e vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë, kur plumbat e dalë nga arma që mbante në dorë Roland Çupi, 44-vjeç ranë mbi trupat e tyre. Leze Hila, 50-vjeçe nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve, ndërsa Sandër Jaci dhe Hilë Caka, janë dërguar në spital ku ndodhen në gjendje kritike për jetën. Gjithçka ka ndodhur në banketin e shtruar për të ftuarit, kur Çupi ka dashur të qëllojë në ajër me një armë gjahu, në pronësi të të zotit të shtëpisë. Gjendja e dehur dhe pakujdesia e tij gjatë mbajtjes së armës mendohet të jenë të vetmet arsye të ngjarjes, ndërsa policia ka mbërritur menjëherë aty për të zbardhur rrethanat. Vetë Çupi ka kaluar në depresion mendor dhe gjatë gjithë ditës së djeshme është mbajtur nën mbikëqyrjen e mjekëve në spitalin e Lezhës. Burime zyrtare të policisë së Lezhës bënë të ditur se, ngjarja e rëndë që përfundoi me një të vrarë dhe dy të plagosur, ndodhi rreth orës 15:30 të ditës së djeshme. Dasma në familjen e Nik Gjetës ishte në kulmin e saj, kur në valle kanë qenë çifti i sapomartuar. Sipas dëshmive nga të pranishmit në dasmë në këto momente, Roland Çupi, kushëriri i parë i dhëndrit, ka marrë armën e gjahut të të zotit të dasmës dhe ka filluar të qëllojë në ajër. Dëshmitarët treguan se Çupi po qëndronte pranë avllisë së shtëpisë, e cila ishte mbuluar me çadër shiu. Mësohet se muri i avllisë nuk e kalonte lartësinë e dy metrave duke i lënë 44-vjeçarit përdorim të kushtëzuar të armës për shkak të vendit të ngushtë. Nga një pakujdesi e tij gryka e çiftes është ulur, ndërsa zjarri nuk ishte ndërprerë ende. Në këtë mënyrë plumbat e dalë kanë rënë mbi të pranishmit në dasmë. Në morinë e njerëzve që po festonin, të prekur prej tyre kanë mbetur Leze Hila, Sandër Jaci dhe Hil Caka. Sipas policisë Hila në momentet e para është nisur e gjallë për në spitalin e Lezhës, por ka ndërruar jetë pa mbërritur atje. Po në spitalin e Lezhës janë dërguar fillimisht edhe dy të plagosurit e tjerë Jaca dhe Caka. Burime të këtij spitali pohuan se, për shkak të gjendjes kritike për jetën, i lënduari Caka është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në spitalin e Lezhës ka përfunduar edhe autori i krimit Roland Çupi, i cili pasi ka mësuar se Leze Hila ka vdekur, ka kaluar në depresion nervor. Sipas policisë Çupi mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve. Menjëherë pas ngjarjes forca të shumta policie dhe një grup hetimor kanë udhëtuar drejt fshatit Rrabishtë. Policia ka sekuestruar armën e krimit, e cila ishte e Nik Gjokës. Ndërsa janë marrë në pyetje dëshmitarë okularë të ngjarjes. Burimet bënë të ditur se për shkak të gjendjes së tij të rënduar mendore gjatë ditës së djeshme, ka qenë e pamundur marrja në pyetje e autorit të krimit. Të pranishëm në vendngjarje ka qenë dje drejtori i Krimeve të Hapura të Policinë e Shtetit, Tonin Voci, drejtori i policisë së Lezhës, Mërgim Hoxha, si edhe drejtues të lartë të bluve të këtij qyteti. 

Dëshmitari: U tmerruam kur pamë të plagosur

Jak C., një prej të pranishmëve në ngjarjen e djeshme tregoi për "Panorama", tmerrin e përjetuar nga dasmorët në momentin e ngjarjes. "Kemi pasur vëmendjen që të gjithë tek çifti, i cili sapo mori radhën për të kërcyer. Nga zhurma e muzikës nuk kemi dëgjuar as krismën e armës. Ndërsa kemi vënë re që të ftuarit në banket ishin shtrirë barkas nga frika, disa vetë morën Lezen në krahë, duke e vendosur në një makinë. Pashë me sytë e mi që ajo ishte mbuluar tërë gjak dhe nuk fliste. Dukej që ishte shumë rëndë. Ndërsa dy të plagosurit e tjerë kanë qenë më lehtë". Ndërkohë atij ende i dukej e pavërtetë fakti që gjithë kjo ishte shkaktuar nga 44-vjeçari Çupi. "U mblodhëm për gëzim, por një pakujdesi e momentit solli edhe hatanë. Të paktën na ngushëllon fakti që numri i viktimave mund të ishte akoma më i madh. Jemi të bindur se Rolandi nuk ka dashur të shkaktonte këtë tragjedi. Madje ai gjithçka e ka pasur nga gëzimi. E njohim mjaft mirë dhe është njeri i shkëlqyer. Na vjen keq për ngjarjen që ndodhi, ku dasmës i hoqëm shumë shpejt vellon dhe e veshëm në zi", përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›