Vrasja e 50-vjeçarit, 23 të shoqëruar
SHKODER - Plot dy ditë pas ekzekutimit të 50-vjeçarit Enver Hyseni (Ramazani) në fshatin Darragjat të Komunës Dajç, policia e Shkodrës nuk ka persona konkretë të dyshuar. Burime pranë komisariatit të policisë së Shkodrës bënë të ditur se, gjatë dy ditëve të fundit janë shoqëruar në këto ambiente rreth 23 persona të cilët janë pyetur në lidhje me ngjarjen. Dëshmitë e tyre janë dokumentuar nga ana e oficerëve të policisë, por pa mundur të hedhin dritë mbi identitetin e ekzekutorëve të Hysenit. Mësohet se shkalla e vështirësisë është shtuar për policinë edhe për shkak të mënyrës së kryerjes së pritës. Kjo pasi ekzekutimi është cilësuar si i mirorganizuar, duke u bazuar në zgjedhjen e vendit dhe në mungesën e provave në vendngjarje. Ndërkohë që deri tani policia zotëron vetëm dëshmitë e personave të shoqëruar, të cilët janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje. Ata kanë qenë kryesisht personat e fundit, të cilët ndodheshin në të njëjtin ambient me Hysenin, para se ai të nisej drejt banesës së tij. Enver Hyseni u ekzekutua në një pritë mesnatën e së premtes, teksa po kthehej në banesën e tij në fshatin Darragjajt të Komunës Dajç të Shkodrës. Ai u qëllua me breshëri automatike, ndërsa ishte duke drejtuar automjetin e tij. Dje ai është përcjellë për në banesën e fundit, por me hidhërimin se atentatorët janë ende të lirë. Në ditët e ardhshme pritet që prokuroria të nisë hetimin e dosjes, për të mbledhur dhe dëshmitë e personave të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre do të jenë të afërmit e tij, të cilët do të dëshmojnë mbi ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës. Deri tani, policia e Shkodrës ka mohuar se ka gjetur ndonjë shenjë që do ta shtyjë drejt zbardhjes së krimit. r.d
Gjendet arma që vrau 18-vjeçarin
MIRDITE - Policia e Mirditës ka gjetur dje një armë automatike, me të cilën dyshohet së është vrarë bariu 18-vjeçar Fatmir Pjetri. Ndërsa për ngjarjen e mesditës të së shtunës në fshatin Kodër Spaç të Mirditës nuk është identifikuar asnjë autor, policia pretendon se ka gjetur armën e krimit. Burime policore pohuan se një automatik në një shtëpi të braktisur disa qindra metra poshtë vendit të ngjarjes. Mësohet se armës do t'i bëhen provat balistike për të vërtetuar, nëse gëzhoja e gjetur në vendngjarje ka dalë nga tyta e saj. Po dje, në pyetje janë marrë edhe bashkëmoshatari i viktimës Zef Prenga dhe gjyshi i tij, të cilët kanë qenë pranë 18-vjeçarit në momentin e ngjarjes. Në dëshminë e tyre ata kanë pohuar se, kishin dëgjuar një krismë dhe pastaj kanë parë Pjetrin të shembet përtokë. r.n