Dasma nuk ishte në stilin e kohës
U njohën me njëri-tjetrin në mal. Ishte kohë lufte dhe kishin një mision. Fati i çoi të kryenin së bashku detyrën luftarake. Dhe s’mund të qëndronin shpërfillës ndaj njëri- tjetrit. Ajo ishte një vajzë e bukur dhe shumë e re. Ai një djalosh shtatlartë që binte fort në sy, në moshë të pjekur e për më tepër i sapo diplomuar në Francë. Fjala është për Mynever dhe Dhimitër Shuteriqin. Besuan që të dy, menjëherë, te dashuria e njeri- tjetrit. Ndaj me të mbaruar lufta, filluan të thurnin planet për martesë. Asaj s’i kish shkuar ndërmend se në familjen e të dashurit po projektonin ardhjen e një tjetër nuseje. Ia kishin gjetur, pa e ditur se ai vetë e kish bërë zgjedhjen e tij. Por kjo s’pati rëndësi. Myneverit, fare të re, i erdhi fort keq që vjehrri i ardhshëm në takimin e parë, të rastësishëm, nuk i dha një buzëqeshje. Por... , e justifikoi. Kish bërë edhe ai planet e tij, dhe të rinjtë ia rrëzuan.Por le të flasim për dasmën. Në të vërtetë në rastin e Shuteriqve, nuk pati një dasmë. Thjesht u martuan. Ishte tepër e thjeshtë arsyeja. Vendi sapo kish dalë nga lufta... E kush ia kishte ngenë dasmave. Pastaj, sa shumë martesa u bënë asaj kohe, pa ceremoni, pa fustan të bardhë, pa vello. “Ishte në frymën e kohës”, shpjegon Mynever Shuteriqi. Ndaj dhe nuk ka pengje. Madje, ndoshta i pëlqen që në albumin e saj të jetës, nuk e gjen veten veshur në të bardha. Arsyeja? është treguar mjaft bashkëkohore...