E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aurela Gaçe - 24 Orë nga jeta e një gruaje

 Midis Shqipërisë dhe Amerikës. Ka kohë që jeton kështu e ndarë më dysh apo më mirë e bashkuar. Në fillim qëndroi gjatë pa e kthyer kokën, por nuk mundi të vazhdonte. Fundja gjërat e rëndësishme këndej, e thërrisnin. Dhe s’mund të ishin pak. Nuk ishte fjala thjesht dhe vetëm për familjen, prindërit, të afërmit apo miqtë. Skena shqiptare s’mund të mos e joshte. Këtu kish njohur apogjeun. E kishin vlerësuar, tejet madje, dhe ajo e kish shijuar pa masë vlerësimin. Kish ndjerë, padyshim, edhe gërvishtje shkaktuar nga shkopinj nën rrota. Po, ku nuk është kështu? Askund. Ndaj dhe Aurela Gaçe, s’mund t’i rendisë të këqijat e vogla. Thjesht i shpërfill. Sepse s’munden ato të mbizotërojnë pozitivitetin që i ka falur Shqipëria me gjithë publikun këtu. Pastaj ajo di mirë ti vërë në peshore gjërat e të shohë ç’peshon më rëndë. E meqë është kështu, ndjeu se peshonte malli, nevoja për ty kthyer. Ndaj dhe ka kohë që bën vajtje -ardhje, angazhohet me ndonjë projekt, bën ndonjë këngë, ngjitet në skenën shqiptare, ikën e mandej rikthehet sërish. A nuk ishte në verë në Shqipëri? Dhe qëndroi gjatë madje. Dhe ja ku erdhi sërish. Dhe do të rikthehet shumë shpejt. Mesa duket është ideale ky bashkim “brigjesh” për të....Gjithsesi, këtë herë këngëtarja e mirënjohur shqiptare nuk do të flasë as për amerikën e as për Shqipërinë. Do të rrëfejë 24-orëshin e saj standard...-Në ç’orë e vini zilen... kur fillon dita juaj çdo mëngjes?Ditët e mija nuk kanë ngjashmëri me njëra tjetrën. Edhe sepse nuk kam angazhime të cilat duhet t’i përmbush në orare të caktuara, kështu që, nuk ka pse të kem zile zgjimi. Natyrisht që në raste të caktuara ndodh ta përdor. Ky rritëm i fillim ditës është i vlefshëm për të dy vendet ku jetoj, Amerikë dhe Shqipëri. Këtu përpiqem të mos e marr shumë ngadalë për të shfrytëzuar kohën që qëndroj për të takuar miq. -Përgatitja e përditshme për të dalë nga shtëpia, në shoqërinë e emisioneve televizive të mëngjesit, muzikë... çfarë ka në sfond?Së pari, me të hapur sytë, pi dy gota të mëdha me ujë dhe në këtë moment nuk ka asgjë në sfond... më pas, pak muzikë në mëngjes është zgjedhja e duhur. -Cila është marrëdhënia juaj me shtypin? A i lexoni gazetat? Cilat janë rubrikat që ju interesojnë?Jam në korrent më tepër nëpërmjet atyre që dëgjoj të thuhet mes njerëzve apo diskutimeve të ditës. Për shkak edhe të fushës që i përkas, syri më kap më shpejt faqet kulturore nëse ka diçka që më tërheq. -Kafja e parë e ditës jashtë? Si e shijoni, ku e shijoni, në shoqërinë e kujt?Kur jam këtu, nuk ka ndonjë vend të përhershëm tek i cili të shkoj çdo mëngjes. Në varësi të personit të cilin do takoj, vendoset edhe kafja. Atje më shpesh preferoj ta pi me time motër apo ndonjë mikeshë. -Dreka, një rit familjar apo pjesë e orarit të punës?A vlen të jetë diçka e mesme?! Siç po shoh gjithçka që më ndodh është në varësi të rastësisë së ditëve dhe të intensitetit të punës së secilës prej tyre. Së pari sasia e ushqimit është e kufizuar. Picën time të dashur mundem ta konsumoj shumë rrallë. Në Tiranë përpiqem që të drekoj shpesh me familjen për të qëndruar më gjatë me ta. Herë të tjera më gjen në restorant ndoshta me ndokënd që duhet të bëj një bisedë pune apo ndonjë mikeshën time.   -Gatuani?A jo më vjen keq, nuk bën për mua kjo punë. -Cila orë e pasdites ju gjen në shtëpi?Varet nga dita, mund të ketë prej tyre që nuk kthehem fare për shkak të udhëtimeve të vazhdueshme që më duhet të bëj. -Cili është argëtimi juaj i preferuar orareve të pasdites apo i orëve të para të mbrëmjes?Pjesë të argëtimit konsideroj edhe orët e përditshme të palestrës  të cilat më janë kthyer në domosdoshmëri, këto i përkasin kryesisht pasdites por nuk kanë orar të mirëpërcaktuar. Pastaj gjatë darkave preferoj ato jo shumë të zhurmshmet duke qenë se pjesë e zhurmës më qëllon të jem jo pak herë, madje në qendër të saj. Kështu që një darkë e lehtë shoqëruar me një gotë verë të mirë do ishte zgjedhja optimale. -ç’marrëdhënie keni me shoping-un? ç’kohë të ditës apo ç’ditë të javës i kushtoni?Kjo po që është punë për mua, ndryshe nga gatimi. Më pëlqen shumë të dal për shoping, të jem në korrent të tendencave të reja, ngjyrave apo modeleve dhe natyrisht më pëlqen të bëj të mijat ato që më tërheqin. Përpiqem ta frenoj pak veten që të mos “dëmtohem” shumë por jo gjithmonë ia dal. Meqenëse oraret nuk ishin të pranishëm në ditët e mija, as shoping-u nuk ka si të bëj përjashtim. -Cilat janë angazhimet tuaja të paragjumit?Më e zakonshmja është të marurit me veten, rikthimi në gjendje natyrale i fytyrës. -Në ç’orë e fikni dritën e abazhurit të komodinës?Ka nga ato net kur kjo nuk është në dorën time, në rastin e koncerteve. Rikthimi në shtëpi në të tilla raste është aq i mirëpritur  sa që drita fiket në momentin më të parë të mundshëm. Po për shkak të këtij regjimi, edhe kur nata nuk është e ngarkuar, nuk mundem të fle herët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›