Muzeu i Shkencave, peng i fosileve
Fatos MahmutajFosilet e vjetra, mbajnë peng muzeun e Shkencave të Natyrës. Me anë të korrespondencës që ka pasur Rektorati i Universitetit dhe Ministra e Arsimit me Zyrën e Përmbarimit të Tiranës është njoftuar se lirimi i objektit për ish-pronarët do të mundësohej vetëm nëse do të gjendej një vend i posaçëm për të ruajtur dhe ekspozuar skeletet e pazëvendësueshme të gjallesave si dhe fosilet e vjetra që gjenden në muze. Burime nga Përmbarimi i kryeqytetit pohojnë se prej disa muajsh dosja e kësaj prone ka mbetur në dorë të përmbaruesit të çështjes Julian Ahmeti, pasi është e pamundur të ndërhyhet për të liruar objektin dhe për t’ua kthyer atë pronarëve. Tashmë kur kanë mbaruar të gjitha proceset gjyqësore në lidhje me godinën e Muzeut të Shkencave, përmbarimi ka mbetur pa e ekzekutuar vendimin gjyqësor vetëm për faktin se Universiteti nuk merr përsipër të heqë prej godinës skeletet e specieve të rralla, përfshi edhe atë të një balene. Dosja e kësaj çështjeje, e papërfunduar vitin e kaluar, është mbartur për t’i vazhduar procedurat në këtë vit. Problemet me godinën e Muzeut të Shkencave të Natyrës kanë nisur që nga viti 2002 kur pronarët e godinës dhe 4600 metër katrorë truall rreth saj fituan një vendim gjyqësor me anë të të cilit urdhërohej rektorati i universitetit t’ua kthente atyre. Këtë vendim e la në fuqi Gjykata e Lartë, çka bëri që pronarët t’i drejtoheshin përmbarimit duke kërkuar ekzekutimin e vendimit. Zyra e Përmbarimit e kryeqytetit, në bazë të urdhrit të ekzekutimit të lëshuar nga Gjykata e Tiranës nisi procedurat për rikthimin e pronës pasardhësve të ish-pronarëve. Burime nga Përmbarimi i Tiranës pohojnë se në lidhje me këtë dosje janë njoftuar palët, që në rastin konkret janë Rektorati i Universitetit dhe Ministra e Arsimit për të ekzekutuar në mënyrë vullnetare vendimin gjyqësor. Por edhe pasi ka skaduar afati që vë në dispozicion ligji në këtë moment të çështjes, nuk është bërë asnjë veprim. Pas kësaj përmbarimi ka nisur procedurat për kryerjen e ekzekutimit të vendimit gjyqësor konformë ligjeve duke “përzënë” nga godina muzeun e Shkencave të Natyrës, por këtu ka dalë pengesa e skeleteve të vjetra si dhe mjaft fosileve të rralla, të cilat përbëjnë pasuri shkencore me mjaft vlerë. Universiteti i ka pohuar Përmbarimit se e ka të pamundur gjetjen e një godine për të vendosur në të pasuritë e rralla shkencore. Por nga ana tjetër gjendja në të cilën mbahen këto skelete paraqitet e mjerueshme, për shkak të amortizimit të tejskajshëm të ndërtesës, e cila rrezikon të shembet. Prej shumë vitesh godina nuk është restauruar, çka bën që të rrezikohen seriozisht materialet e vlefshme që gjenden në të. Ndërkohë, Përmbarimi pohon se Rektorati i Universitetit ka paditur në gjykatë përmbaruesin e çështjes duke e akuzuar atë për veprime arbitrare. Kjo çështje prej disa kohësh ka nisur të shqyrtohet nga një gjyqtare kryeqytetase, ndërsa përmbarimi me nisjen e këtij procesi është detyruar të pezullojë të gjitha procedurat për ekzekutimin e dosjes.LigjiNë vitin 1992, pas daljes së ligjit për kthimin e pronave, pronarët i drejtohen Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave. Në vitin 2000, më 9 nëntor, ky komision u ktheu truallin dhe godinën. Në vendimin 419, të kësaj date thuhet: Një godinë në formën e germës “U” me krah një kat dhe pamje ballore dy kat, ish-konvikti “Naim Frashëri” sot Muzeu i Shkencave të Natyrës dhe i Gjeologjisë së UT, së bashku me oborrin, me sipërfaqe të përgjithshme 4600 metër katror.