E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, vidhnin me armë e maska, arrestohen 5 të rinj

 SARANDE - Ishin kthyer në tmerrin e qytetit, jo vetëm për vjedhje me armë e maska të bizneseve e banesave, por madje edhe vendosje eksplozivi. Policia e Sarandës organizoi dje operacionin e koduar “Fshesa” duke çuar në pranga pesë të rinj, duke finalizuar me shkatërrimin e këtij grupi kriminal. Sipas policisë, të arrestuarit janë Edmond Abazi, 22-vjeç i dënuar më parë për, “plagosje të rëndë me dashje”, Geard Zholi, 23-vjeç, Lisjen Kazo, 21-vjeç, O.A., 15-vjeç dhe V.M., 17-vjeç, që të gjithë nga Saranda. Ata akuzohen për bashkëpunim me njëri-tjetrin, në veprat penale, “vjedhje në bashkëpunim”, “shkatërrim të pronës me eksploziv”, “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, dyshohen gjithashtu edhe për “vjedhje me armë”. Pesë të rinjtë njihen nga policia si miq të Geard çoçkës, personazh i njohur në qytet për dhjetëra vjedhje në shuma të mëdha. Ai ndodhet në paraburgimin e Sarandës, për dhjetëra vjedhje si dhe goditjen e oficerit të policisë, Roland Merko. Sipas burimeve policore, 5 të rinjtë e arrestuar janë autorë të vjedhjes së mbi 20 banesave, bizneseve, mjeteve motorike, si dhe të vendosjes së eksplozivit në disa raste kryesisht në lagjen nr.4. Gjatë kontrollit të banesës së Geard Zholit, blutë gjetën një armë automatike tip “Scorpions” me silenciator. Ndërsa në të gjitha banesat e të arrestuarve të tjerë u sekuestruan shumë sende të rezultuara të vjedhura. Sipas policisë, ata kanë kryer vjedhje në shuma dhjetëra milionë lekë, si tek “Vëllezërit Nika”, “LottoSport”, dyqanet mbi portin detar, magazina e minimarkete në lagjen nr.4, motorë e automjete. Një grup hetimi i ngritur nga policia kriminale dhe prokuroria e rrethit, po heton me radhë të gjitha denoncimet e vjedhjeve, si dhe lidhjet e mundshme të këtij grupi kriminal me kontingjente të tjerë kriminalë në qytetin e Sarandës. Burime policore bënë të ditur se kishte nisur një hetim disa mujor për këtë grup, pas situatës tepër të rëndë të krijuar në Sarandë, nga vjedhjet e shumta, ku brenda në qytet janë kryer edhe dy vjedhje me maska, armë e dhunë.         sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›