E Diel, 1 Nëntor 2026

Vihen tabela orientuese për turistët

 BERAT - Pas futjes së Beratit në UNESKO, shumë turistë të huaj e kanë vizituar qytetin muze 2400-vjeçar. Por jo rrallë herë, turistët janë ndierë konfuzë nëpër qytet, për shkak të mungesës së tabelave orientuese. Pikërisht për këtë shkak, Bashkia e Beratit ka marrë masa për t’iu ardhur në ndihme turistëve, jo vetëm atyre të huaj por edhe vizitorëve që vijnë nga rrethe të ndryshëm të vendit apo edhe nga Kosova. Burime nga bashkia bënë të ditur se për të orientuar turistët kanë vendosur në të gjithë lagjet muzeale tabela orientuese. “Sapo futen në qytet, turistët do të përballen me një tabelë të kompleksit turistikë të lagjes “Kala”. Më pas ata do të orientohen me tabelat e vendosura në të gjitha lagjet muzeale, ku shkruhen vendndodhjet e të gjithave zonave turistike, muzetë, etj”, u shprehën burime nga bashkia e qytetit. Pas futjes së qytetit në UNESKO, u krijua një anomali me turistët e shumtë që vinin nga perëndimi dhe lindja, pasi ata nuk arrinin të orientoheshin dot për vendndodhjen e pikave turistike. Duke u njohur me këtë shqetësim të turistëve, bashkia vendosi të investonte dhe të vinte tabelat aq shumë të domosdoshme nëpër lagjet muzeale, por edhe në hyrje të qytetit. Mungesa e tabelave orientuese ishte kthyer edhe në shqetësim të vetë qytetarëve, të cilët disa herë kishin kërkuar zgjidhje të situatës. Burime nga zyra e turizmit bënë të ditur se gjatë vitit që sapo lamë pas, në qytetin e Beratit kanë mbërritur mijëra turistë, të cilët janë njohur me këtë qytet nëpërmjet internetit, por edhe nga agjencitë e ndryshme. Pritet që këtë vit, numri i turistëve që vizitojnë Beratin të shënojë rritje.          d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›