E Shtunë, 31 Tetor 2026

Data e shpalljes së pavarësisë enigmë, Thaçi nuk jep detaje

Në çastin kur të gjithë prisnin një datë për shpalljen e pavarësisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një konference për media, ka thënë vetëm se fillimi i javës së ardhshme do të shënojë një epokë të re si vend i pavarur. Me këtë deklaratë ai ka lënë të kuptohet se e diela do të jetë dita kur Kuvendi i Kosovës do të shpallë pavarësinë. Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë të Kosovës ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve ANSA se pavarësia do të shpallet ditën e diel, më 17 shkurt. Sipas të njëjtit burim, ora e shpalljes së pavarësisë do të jetë 17:00. Kryeministri Hashim Thaçi, në konferencën e zhvilluar në prani të qindra gazetarëve, ka folur për garancitë që jep Kosova për të drejtat e pakicave dhe ka bërë të ditur hapjen e një zyre, e cila do të informojë atë çdo ditë mbi problemet me të cilat do të ballafaqohen pakicat. Kryeministri tha se të drejtat e pakicave, në mënyrë të veçantë të asaj serbe, do të jenë të garantuara me ligjet që do të vijnë nga Parlamenti i Kosovës. “Do ta ndërtojmë një Kosovë si një vend i perspektivës për të gjithë qytetarët e saj. Një vend të mundësive të barabarta dhe të respektimit më afirmativ të mundshëm për pakicat para së gjithash për serbët e Kosovës”, - tha kryeministri Thaçi. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka risiguruar popullsinë serbe në Kosovë se nuk do të përballen me diskriminim kur vendi të shpallë pavarësinë nga Serbia. Megjithatë ai ka porositur të gjithë qytetarët që dita e pavarësisë të kalojë e qetë në të gjithë vendin duke respektuar njëri-tjetrin pa ofenduar dhe provokuar askënd. Gjatë ditës së djeshme kryeministri Thaçi u ka shpërndarë udhëzime edhe kryetarëve të komunave të Kosovës në veçanti komunave ku janë të përqendruar përgjithësisht pakicat. Ai është shprehur se dita e pavarësisë së Kosovës duhet të jetë sa më dinjitoze. Ndërkohë, Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur se shpallja e pavarësisë do të bëhet në një seancë tjetër të Parlamentit, por ai nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë nëse kjo do të ndodhë të dielën. “Në një seancë tjetër më të shpejtë që mund të mbahet në Kuvendin e Kosovës, do të shpallet pavarësia”, - tha Haliti. Në Kosovë tashmë kanë filluar përgatitje të ndryshme për festimin e pavarësisë, e cila pritet të shpallet këtë të diel. Qeveria e Kosovës ka formuar një grup të veçantë për zhvillimin e disa aktiviteteve publike për nder të pavarësisë. Ndërkohë Rusia ka shtuar presionin diplomatik kundër njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ministria e Jashtme ruse ka lënë të kuptohet se çdo lëvizje e tillë do të merrej parasysh në politikën e Moskës drejt rajoneve që kërkojnë shkëputje nga Gjeorgjia.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›