E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDR: Jo evitimit të maxhoritarit në zgjedhje

Nënkryetari i Partisë Demokrate të Re, Tritan Shehu, ka kërkuar rimbledhjen sa më të shpejtë të Komisionit të Reformës Zgjedhore, pasi vonesat e deritanishme po rrezikojnë realizimin e kësaj reforme. Shehu kundërshtoi idenë e forcave të ndryshme politike për evitimin e sistemit maxhoritar në zgjedhjet e ardhshme.
“Ka një tendencë nga ana e forcave të ndryshme politike, të cilat kanë propozuar për t’u larguar nga ligji maxhoritar. Unë do të thosha se është gjëja më e gabuar për sistemin zgjedhor shqiptar, largimi nga maxhoritari, pasi sa më shumë largohemi nga ky sistem, aq më shumë largohemi nga demokracia e vërtetë, aq më shumë largohemi nga tradita e fituar dhe aq më shumë nga rruga ku po synojnë të shkojnë edhe vendet e tjera të zhvilluara", - deklaroi nënkryetari i PDR-së. Shehu e cilësoi si një cenim të demokracisë dhe lirisë themelore të një vendi, që pretendon anëtarësimin në BE dhe NATO, largimin nga sistemi maxhoritar, duke theksuar se "pa dyshim që maxhoritari mund të kombinohet me proporcionalin, por largimi nga ky sistem është cenim i demokracisë".
Nënkryetari i PDR-së paraqiti propozimet kryesore të kësaj partie. “Këto dy elemente, ruajtja e boshtit maxhoritar të Kodit Zgjedhor dhe kalimi i zgjedhjes së presidentit nga populli do të forconin demokracinë shqiptare, do ta përsosnin atë dhe do ta çonin vendin në një stad më të zhvilluar", - tha Shehu.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›