E Diel, 1 Nëntor 2026

Daullet e Paqes, fëmijët përcjellin mesazhet

Kryeqyteti shqiptar përjetoi edhe këtë vit, një moment të veçantë dedikuar paqes e poezisë. “Daullet për Paqen” dhe “Dita Botërore e Poezive për Fëmijë” erdhën si një event shumë domethënës, me synimin për të promovuar kulturën e paqes dhe duke u bërë thirrje fëmijëve në mbarë botën që “t’i bien daulleve për paqen”. I pranishëm në këtë aktivitet, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama falënderoi ambasadorët e pranishëm, të cilët kanë bërë të mundur që zëri “Daulleve për Paqen” të jehojë fort edhe në kryeqytetin shqiptar, ashtu si në plot vende të botës, si një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për nga mesazhi që përçon dhe që, sipas kryebashkiakut Rama: “e bën qytetin tonë më të pasur, më të denjë e më shpresëplotë”. Të mbledhur pranë sheshit “Nënë Tereza”, para Akademisë së Arteve në Tiranë, fëmijët e kryeqytetit iu bashkuan këtij eventi të ngjashëm në mjaft vende të botës, të cilët në të njëjtën ditë e orë, do të bëjnë thirrje dhe ngrenë zërin fort, për një botë më pak të egër, larg krizës botërore, larg luftërave e mosmarrëveshjeve politike. Si një veprimtari me poezi aktive, nga ku e ka prejardhjen dhe “Daullet e Paqes”, në këtë event domethënës, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Ambasadës Franceze në Tiranë dhe nxënësve të shkollës franko-shqiptare “Viktor Hygo”, fëmijët përcollën mesazhet e tyre, për një botë ku të mbizotërojë buzëqeshja e ku çdokush të ketë lirinë, të drejtat, jetën e tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›