Punimet, mbyllet për një javë “Komuna e Parisit”
Pas dëmtimeve të shumta në shtresën e asfaltit, Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për rikonstruksionin e rrugës “Medar Shtylla”, ose siç njihet nga qytetarët, rruga “Komuna e Parisit”. Për këtë arsye, trafiku në këtë rrugë do të bllokohet për rreth një javë. “Siç është vënë re, rruga është mjaft e dëmtuar në shtresa asfaltike, prandaj është mjaft e rëndësishme ndërhyrja në këtë moment. Bashkia e Tiranës, bashkë me subjektin kontraktues, ka marrë të gjitha masat e nevojshme, për të përfunduar rikonstruksionin e kësaj rruge në fund të kësaj jave dhe për të mundësuar që rruga të jetë e hapur për qytetarët dhe për qarkullimin e mjeteve. Gjatë periudhës që në rrugë do të kryhen punime, qarkullimi do të devijojë në rrugën “Prokop Mima” dhe “Skënder Luarasi”, ndaj Bashkia e Tiranës falënderon të gjithë qytetarët dhe kërkon bashkëpunimin e tyre për respektimin e sinjalistikës të vendosur për këtë qëllim, duke bërë të mundur që edhe në këtë objekt, punimet të kryhen brenda afateve të përcaktuara”, - sqaroi drejtoresha e Përgjithshme e Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Albana Koçiu. Në rrugët “Prokop Mima” dhe “Skënder Caci”, nga ku devijohet qarkullimi i automjeteve, nuk do të lejohen parkimet e automjeteve, me qëllim për të mos bllokuar lëvizjen.