E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacionet plastike, 150 ndërhyrje çdo vit në QSUT

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-03-2011 14:27

Çdo vit rreth 150 persona në vendin tonë u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale plastike-maksilofaciale, që njihen ndryshe si operacionet plastike. Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Oro-Maksilo-Faciale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shpjegon se në 5 vitet e fundit minipllakat e titanit përbëjnë një risi për këtë shërbim në vendin tonë. Sipas tij, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencës me vende si Gjermania dhe Irlanda ka rritur profesionalizmin, duke sjellë në këtë shërbim rezultate pozitive për shumë raste të dëmtimeve të lindura apo traumave të ndryshme, tumoreve malinje etj. Kostoja e operacioneve plastike është e njëjtë, si për ata që duan të ndryshojnë për qejf, ashtu dhe për ata që kanë defekte të lindura. Gati të gjitha ndërhyrjet mundësohen në spitalet tona, duke përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale në hundë, veshë, bark, gjoks etj. Sipas rasteve të paraqitura në spitalet shtetërore, një pjesë e mirë e pacientëve që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale në hundë kanë probleme me frymëmarrjen dhe e kanë të domosdoshëm këtë operacion, ndërsa pjesa më e vogël i përket kategorisë që kërkojnë operime plastike për qëllime estetike. Në repartin e plastikës pranë QSUT-së kanë filluar të kryhen edhe operacione plastike të cilat, si në klinikat private ashtu dhe jashtë vendit, kushtojnë disa herë më shumë. Këtu përfshihen operacionet plastike për zmadhimin e gjoksit, heqjen e rrudhave dhe dhjamërave të barkut. Secili nga këto operacione kushton vetëm 45 mijë lekë. Më të lirat janë ndërhyrjet për zhdukjen e shenjave të vogla në fytyrë apo trup, të cilat kushtojnë vetëm 1300 lekë. Konkurrenca që spitali shtetëror po u bën klinikave private që kryejnë këto operacione është tepër e madhe, meqë numri i tyre është gjithnjë në rritje. Kostoja e tyre në këtë spital mbetet shumë më e vogël krahasuar me çmimin që kanë këto klinika për të njëjtin operacion. Operacione plastike kryhen si në QSUT ashtu edhe në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Për rastet e djegieve, operacionet plastike kryhen vetëm në QSUT. Numri i tyre është tepër i madh, pasi është i vetmi spital në vend që ofron një shërbim të tillë. Sipas të dhënave, rastet nga rrethet janë të shumta, ku nuk mungojnë dhe ato në gjendje të rëndë, por fatmirësisht këto operacione në QSUT kryhen falas për pacientët e siguruar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›