Fondi i Ekselencës, mbyllen më 31 mars aplikimet
Mbyllen më 31 mars aplikimet për Fondin e Ekselencës. Sipas Ministrisë së Arsimit, për këtë fond do të mund të aplikojnë të gjithë studiuesit e rinj, ose studentët që fitojnë në universitetet më të mira në vend. Aplikimi do të mund të bëhet, duke dërguar aplikimin në adresën e MASH: "Fondi i Ekselencës/Ministria e Arsimit dhe Shkencës/Rr.e
Durrësit, nr.23 / ALB-1001-TIRANA". Fondi i Ekselencës akordohet nga Ministria e Arsimit për bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit. Po kështu, bursa të posaçme për studentë që ndjekin studime “Bachelor” ose “Master”, në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore. Ky fond gjithashtu akordohet edhe për bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj, që bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit, çmime apo shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare. Aktualisht, qeveria shqiptare po kontribuon me një fond të posaçëm për studime të plota doktorate apo postdoktorate të dhjetëra shkencëtarëve të rinj, në universitete perëndimore prestigjioze. Këta studiues, që do të formohen me dijet e kohës dhe detyrimisht do të japin kontributin e tyre për 3 vjet në Shqipëri, do të jenë një mbështetje e rëndësishme e arsimit tonë të lartë dhe kërkimit shkencor. Ata do të ndihmojnë jo vetëm në rritjen cilësore të formimit dhe kërkimit në universitetet tona, por edhe në rritjen e nivelit të bashkëpunimit me universitetet perëndimore, ku këta studiues do të kryejnë kualifikimin e tyre. Nga ky fond përfitojnë studentët që ndjekin studimet e doktoratës, jashtë shtetit, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve, kur kanë arritur notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 9.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, ose, përkatësisht, mbi 8, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 8.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi.