E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtëpitë pranë Fizikës Bërthamore, në rrezik jeta e banorëve

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-03-2011 14:32

Jeta e banorëve që kanë ndërtuar shtëpi pranë Institutit të Fizikës Bërthamore është e rrezikuar nga mbetjet bërthamore, jashtëzakonisht problematike. Ky alarm është dhënë dje nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili ka ngritur me shqetësim të madh Qendrën e Fizikës Bërthamore, e cila, sipas tij, realisht duhet të kërkojë një vëmendje më të madhe, pasi ajo përbën një rrezik të madh për qytetin e Tiranës, aq sa mund të krahasohet me një Fukushima të vogël në Tiranë. “Pranë kësaj qendre janë ndërtuar ndërtesa banimi në mënyre abuzive, duke shkelur edhe ligjet në fuqi. Këtu është për t’u përmendur dhe vendimi i Këshillit të Ministrave nr.83, datë 27.05.1971, i cili kërkon që në një rreze prej 150 metrash, të mos ketë asnjë ndërtim banimi. Realisht kjo Qendër e Fizikës Bërthamore përbën një rrezik shumë të lartë dhe kërkon vëmendje të menjëhershme. Këtë e tregon edhe interesi i veçantë i Ambasadës Amerikane, në lidhje me sigurinë e kësaj qendre”, - ka deklaruar ditën e djeshme, në një konferencë për shtyp, rektori Kule. Në fakt, zaptimi i ambienteve pranë fakulteteve të Universitetit të Tiranës nga ndërtesa të shumta vazhdon të jetë një problem i pazgjidhshëm për këtë institucion. Ndërsa ka bërë një bilanc për secilin prej fakulteteve, që i është zënë në mënyrë të padrejtë territori, për rektorin Kule, më shqetësues është fakti për ndërtesat që janë ngritur pranë Institutit të Fizikës Bërthamore dhe çështja e Kopshtit Botanik të Tiranës. Duke marrë shkas nga kjo situatë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, mbajti dje një konferencë për shtyp në lidhje me shqetësimet e shumta të grupeve të interesit, për prekjen e Kopshtit Botanik nga projekti i Unazës së Madhe. Duke falënderuar të gjithë grupet e interesit dhe partitë politike, të cilat janë shprehur në mbrojtje të Kopshtit Botanik, Kule i kërkon këtyre grupeve të interesit, ashtu edhe partive politike, ta ngrenë zërin edhe në ato raste kur territori universitar është cenuar rëndë. Për rastin e Kopshtit Botanik, rektori u shpreh se “projektet për të cilat Universiteti i Tiranës është vënë në dijeni në lidhje me ndërtimin e Unazës së Madhe, si nga Bashkia, dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve janë të njëjta. Qëndrimi zyrtar i Universiteti të Tiranës është që nëse është e paevitueshme, prekja e Kopshtit Botanik, në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për qytetin e Tiranës, ajo pjesë e cila do të cenohet, do të kompensohet pranë Liqenit Artificial”. Përsa i përket zënies së territoreve të fakulteteve, rektori i UT-së bëri të ditur se probleme të theksuara me ndërtimet, pa asnjë kriter, konstatohen në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku laboratorët janë nxjerrë jashtë përdorimit, pasi dritaret nuk mund të hapen për shkak të ndërtesave që ndodhen pranë. Sipas tij, në këtë fakultet është për t’u përmendur edhe fakti që investimet brenda territorit të tij janë pezulluar, për shkak të mosdhënies së lejeve të ndërtimit, ndërkohë që përreth ndërtohen pallate shumë katëshe. Ndërkaq, e njëjta situatë konstatohet edhe në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe në Fakultetin e Drejtësisë, të cilët janë të rrethuara nga ndërtimet 3 ose 4 herë më të larta se godinat e fakulteteve, ku në shumë raste distanca midis tyre është vetëm pak metra. Po ashtu, edhe në Fakultetin e Histori-Filologjisë, brenda territorit të tij janë ndërtuar objekte private që kanë penguar zhvillimin potencial, infrastrukturor jo vetëm të këtij fakulteti, por edhe të Gjuhëve të Huaja. Sipas Kules, një rast tjetër flagrant është Fakulteti i Ekonomisë, ku brenda oborrit të tij tentohen të ndërtohen ndërtime të subjekteve private, të cilat nxjerrin jashtë funksionit oborrin e këtij fakulteti dhe pengojnë zhvillimin potencial, infrastrukturor të tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›