E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat, nga 1 janari 2012 me pullë të dyfishtë

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-03-2011 14:26

Farmacistët do t’i japin ilaçet vetëm me recetën e mjekut. Kjo do të bëhet e mundur me aplikimin e pullës së dyfishtë të kontrollit të barnave, që parashikohet në projektligjin e ri “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, çka pritet t’i shkëpusë lidhjet e mirënjohura tashmë që ekzistojnë midis mjekëve dhe farmacistëve për shitjen e ilaçeve. Madje jo vetëm kaq, por falë këtij projektligji edhe ISKSH mund të verifikojë saktësisht recetën e lëshuar nga mjeku për barin që rimbursohet, i cili shkon te pacienti. Ditën e djeshme është miratuar në parim në Komisionin e Shëndetësisë projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9323, datë 25.11.2004, ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’, të ndryshuar”. Pasi ka marrë në datën 9 shkurt të këtij viti firmën e kreut të qeverisë, projektligji i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave pritet të kalojë së shpejti për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Në fakt, zbatimi në praktikë i këtij projektligji parashikohet të zgjidhë probleme mjaft të rëndësishme në tregun e barnave, duke filluar që nga ato që vijnë kontrabandë në vendin tonë e deri tek abuzimi që bëjnë mjekët dhe farmacistët me ilaçet që u japin pacientëve. Megjithëse koha se kur do të fillojë aplikimi i pullës së dyfishtë për barnat do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në relacionin e projektligjit të ri “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” bëhet e ditur se “është negociuar dhe është rëndë dakord me koncesionarin se pulla e kontrollit të barnave do të prodhohet në formatin e pullës së vetme (njëfishe), të paktën deri më 31 dhjetor, ndërsa pulla e kontrollit të barnave do të prodhohet në formatin e pullës së dyfishtë që prej datës 1 janar 2012 dhe për të gjithë kohën që është në fuqi kontrata e koncesionit”. Ndërkaq, në këtë relacion është detajuar forma dhe përmbajtja e pullës së dyfishtë të kontrollit të barnave, që do të përbëhet nga një pullë bazë, e cila mbetet në paketimin e barit, dhe një pullë vetëngjitëse, e cila shkëputet nga paketimi i barit nga farmacisti dhe vendoset mbi recetën e mjekut, rast pas rasti, me qëllim kontrollin dhe monitorimin e shitjes së barnave me recetën e mjekut dhe funksionimit të skemës së rimbursimit të barnave. Pulla e dyfishtë në vetvete është një pullë e prodhuar në dy pjesë, të cilat përmbajnë të njëjtin informacion dhe mund të shkëputen nga njëra-tjetra. Njëra prej tyre mund të shkëputet nga paketimi dhe të vendoset nga farmacisti në recetën e mjekut, ndërsa pjesa tjetër mbetet në paketimin e barit. Sipas relacionit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Financave, roli kryesor qëndron në kontrollin dhe verifikimin e dhënies së barnave nga farmacisti në përputhje me recetën e mjekut. Një nga problemtikat kryesore që hasen në inspektimin e subjekteve farmaceutike është dhënia e barnave pa recetën e mjekut. Ky fenomen është i papranueshëm dhe i dëmshëm përsa i përket efektit që barnat duhet të japin te pacienti. Njëkohësisht është edhe i dënueshëm nga legjislacioni për barnat dhe shërbimin farmaceutik. Ndaj parashikohet që pulla e kontrollit të barnave do të shmangë çdo lloj abuzimi në këtë drejtim. Po ashtu, rolin thelbësor pulla e dyfishtë e ka në skemën e rimbursimit të barnave, duke dhënë ndikim drejtpërsëdrejti në të. ISKSH nëpërmjet pullës së dyfishtë ka mundësi efektive të kontrollojë të gjitha recetat e lëshuara për barnat që rimbursohen. Nëpërmjet pjesës së pullës së dyfishtë, të cilën farmacisti e shkëput nga paketimi i barit dhe e aplikon në recetë, ISKSH-ja mund të verifikojë saktësisht recetën e lëshuar nga mjeku për barin që rimbursohet, i cili shkon te pacienti. Në këtë mënyrë i pritet rruga çdo lloj lidhjeje korruptive ndërmjet mjekut dhe farmacistit, për të abuzuar me fondet e shtetit, të destinuara për skemën e rimbursimit të barnave. Në projektligjin e ri “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” është parashikuar se pulla do të jetë e dyfishtë dhe do të përmbajë të paktën disa elemente. Kështu, përveçse dizenjoja dhe elementet e pullës së vetme dhe të pullës dyfishe të kontrollit të barnave do të miratohen nga QKKB për koncesionarin, pulla e vetme e kontrollit të barnave dhe pulla e dyfishtë e kontrollit të barnave duhet të përmbajnë, detyrimisht në secilën nga pjesët e pullës, të paktën elementet e dukshme si: emrin dhe formë-dozën e barit; çmimin e shitjes me pakicë të barit (përfshirë TVSH-në); identifikimin e prodhuesit apo të importuesit të autorizuar me anën e kodit dyshifror; numrin serial të dukshëm të referencës.

Pulla e dyfishtë në vetvete është një pullë e prodhuar në dy pjesë, të cilat përmbajnë të njëjtin informacion dhe mund të shkëputen nga njëra-tjetra. Njëra prej tyre mund të shkëputet nga paketimi dhe të vendoset nga farmacisti në recetën e mjekut, ndërsa pjesa tjetër mbetet në paketimin e barit.

Nëpërmjet pjesës së pullës së dyfishtë, të cilën farmacisti e shkëput nga paketimi i barit dhe e aplikon në recetë, ISKSH-ja mund të verifikojë saktësisht recetën e lëshuar nga mjeku për barin që rimbursohet, i cili shkon te pacienti.

Ndryshimet që parashikohen në projektligjin e ri

Të gjithë barnat që do të tregtohen në vendin tonë do të pajisen me pullë të dyfishtë, çka do të rrisë sigurinë e tyre. Ky është thelbi i projektligjit të ri “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” në të cilin propozohet ndryshimi i nenit 20 “Pulla e kontrollit”, të ligjit ekzistues nr. 9323, datë 25.11.2004, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar me qëllim për të përcaktuar elementet e detyrueshme të pullës së kontrollit të barnave si dhe procedurat e prodhimit, të shpërndarjes dhe të monitorimit, të cilat do të jenë sipas përcaktimeve të kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe autoritetit kontraktues, dhe shoqërive “Sicpa Secyrity Solutions S.A” dhe “Sicpa Secyrity Solutions Albania SH.K”. Më konkretisht, në nenin 20 të ligjit në fuqi përcaktohet se të gjitha barnat e hedhur në treg kanë detyrimisht të vendosur pullën e kontrollit të shpërndarë nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (QKKB). “Pulla e kontrollit duhet të jetë e dyfishtë dhe të përmbajë të paktën elementet e mëposhtme: emrin dhe dozën e barit, çmimin me pakicë të barit, emrin e importuesit të autorizuar. Elemente të tjera të pullës së kontrollit dhe procedurat për prodhim dhe stampim do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, - thuhet në nenin 20 të ligjit në fuqi. Aktualisht, QKKB prokuron pullën njëfishe të kontrollit të barnave, duke stampuar të dhënat e sipërcituara dhe duke analizuar vetë procesin e shpërndarjes së tyre. Bazuar në nenin 20 të ligjit në fuqi për barnat, në projektligjin e ri është parashikuar se pulla do të jetë e dyfishtë dhe të përmbajë të paktën disa elemente. Gjithashtu, po për nenin 20 të ligjit ekzistues për barnat është parashikuar se elementet e tjera të pullës së kontrollit dhe procedurat për prodhim dhe stampim do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Por, duke u nisur nga fakti se deri më sot nuk ka dalë asnjë vendim i Këshillit të Ministrave në zbatim të kësaj pike të ligjit, ka vazhduar të hidhet në treg pulla njëfishe për barnat. Për të siguruar përputhshmëri ndërmjet dispozitave të kontratës së koncesionit dhe ligjit të barnave, propozohet riformulimi i nenit 20 të ligjit në fuqi, ku saktësohet kjo koherencë ndërmjet dy ligjeve. Pulla e kontrollit të barnave prodhohet dhe u shpërndahet subjekteve farmaceutike (fabrikues apo importues të autorizuar) dhe do të monitorohet në emër dhe për llogari të Republikës së Shqipërisë, nga koncesionari në përputhje me tagrat e përcaktuara në ligjin për kontratën e koncesionit. Ndërkaq, aplikimi i pullave të kontrollit të barnave, për barnat që prodhohen në vend, do të kryhet në fabrikën prodhuese vendase, para hedhjes në treg të tyre. Ndërsa aplikimi i pullave të kontrollit të barnave, për barnat që importohen në vend do të kryhet në fabrikën prodhuese jashtë Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›