Tirana-Dinamo, derbi mes dyshimeve për tolerim
Dinamo dhe Partizani do të luajnë sot dy takime të cilat kanë bërë të lindin hije dyshimi rreth "ndershmërisë" së kampionatit. Dinamovitët përballen me Tiranën, e cila ka humbur derbin e javës së kaluar dhe tashmë po mendon vetëm për finalen e Kupës ndaj Vllaznisë. Në një situatë të tillë, të kuqtë kanë aluduar se rezultati është i paravendosur për një fitore të Dinamos në këtë sfidë. Por edhe vetë Partizani është përfshirë në dyshime për ndeshjen që do të luajë në Kavajë ndaj Besës. Miqësia mes presidentëve Xhani dhe Bizhdili ka shtyrë drejtuesit e Dinamos të akuzojnë për një tjetër rezultat të fiksuar, për të ndihmuar të kuqtë në rrugën e drejt titullit. Ndërkohë, në sfidat e tjera të kësaj jave, skuadrat e fundit të tabelës do të ndeshen me ata që nuk luftojnë për asnjë objektiv të veçantë në mesin e tabelës së klasifikimit. Edhe në këtë rast, nuk janë shmangur akuzat e trukimeve, të cilat mund të vërtetohen vetëm nga ajo që do të dhurojë fusha e lojës.