E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana "del" nga merkato: Do të qëndroj te Marseja

Pavarësisht interesimit të klubeve të mëdha evropiane në adresë të Lorik Canës, futbollisti shqiptar ka deklaruar se nuk dëshiron të largohet nga Olimpiku i Marsejës. Në një intervistë për "LaProvence", kapiteni i marsejezëve ka deklaruar se skuadra tashmë mund të luftojë më e qetë për vendin e tretë në renditje, duke përgatitur ndeshjen e të dielës kundër Bordo. "Fitorja në Monako na ka ndihmuar të punojmë më qetësisht gjatë kësaj jave. Në këtë mënyrë jemi në kushte më të mira për të përgatitur fazën e fundit të kampionatit. Vendi i tretë në renditje do të përcaktohet në dy ndeshjet e ardhshme dhe në rast të dy fitoreve radhazi, do ta kemi siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Merkato? Nuk ka asnjë arsye pse të largohem, sidomos nëse Olimpiku i Marsejës e mbyll kampionatin në vendin e tretë dhe merr pjesë në Ligën e Kampioneve. Mua më pëlqen ky klub. Për sa kohë që përfitoj kënaqësi në fushën sportive dhe klubi arrin objektivat e tij, unë nuk kam arsye pse të kërkoj të largohem. Mund të marr në konsideratë një hipotezë të tillë vetëm nëse Olimpiku nuk përmbush objektivat, por një gjë e tillë nuk po ndodh aktualisht. Gjithsesi, nëse klube të tjera interesohen për mua, duhet që të jenë skuadra të rëndësishme. të jeni të sigurt: nëse largohem ndonjë ditë nga Marseja, nuk do të jetë për të shkuar në ndonjë skuadër dosido. Olimpiku është një klub i madh në Francë dhe shumë i njohur në Evropë", u shpreh Cana në intervistën e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›