Davosi çertifikon Shqipërinë si shembullin e ekonomisë që s’po preket nga kriza

Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje pjesë në debatin televiziv të CNBC dhe është intervistuar nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare, lidhur me rritjen dyshifrore ekonomike. Për kreun e ekzekutivit shqiptar, vendi ynë ka ende burime për t’u shfrytëzuar dhe premton një rritje të konsiderueshme edhe për 2009-n
TIRANE - “Shqipëria ka ende shumë burime për t’u shfrytëzuar, ka optimizëm për të pasur rritje ekonomike të mëtejshme”. Ky ka qenë mesazhi që Kryeministri Sali Berisha, ka përcjellë dje nga Davos-i i Zvicrës, ku merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, ishte i pranishëm në debatin e transmetuar direkt në televizionin CNBC, një debat ky i përvitshëm në këtë Forum.
Debati i këtij viti, me temë “Jo kthim mbrapa”, u fokusua në sinjalet që lëshoi kriza ekonomike botërore jo vetëm për botën e financës dhe ekonomisë, por edhe atë politike. Folësit në debat diskutuan për përthithjen e këtyre sinjaleve nga ekonomia dhe politika dhe gjetjen e rrugëve të zgjidhjes së tyre.
Gjatë debatit u theksua se çdo krizë ekonomike, përveç problemeve të mëdha me të cilat shoqërohet, sjell edhe mundësinë për të marrë vendime thelbësore ekonomike dhe politike, që duhet të jenë largpamëse. Debati u fokusua edhe në sfidat që solli kjo krizë për ekonominë botërore, rrugëdaljet dhe zgjedhjet që duhet të ndërmarrin fuqitë e mëdha ekonomike për t’i dhënë zgjidhje asaj.
Pjesëmarrësit në debat, të pyetur nëse është e nevojshme të vendosen rregulla të reja apo të aplikohen ato ekzistueset në ekonomi, 70 për qind e tyre kanë mbështetur idenë e vendosjes së rregullave të reja.
Forumi filloi dje në vendpushimin e skive në Alpe dhe do të vazhdojë deri më 1 shkurt. Një numër rekord udhëheqësish botërore, këshilltarësh ekonomikë dhe zyrtarë të lartë biznesi po e përqendrojnë vëmendjen te kriza financiare në Forumin Ekonomik Botëror, që po zhvillohet në Davos të Zvicrës.
Në takimin e këtij viti marrin pjesë një numër rekord prej 41 kryetarë shtetesh dhe qeverish.
Në takim marrin pjesë edhe anëtarë të administratës së presidentit të ri amerikan, Barak Obama, mes tyre edhe këshilltari për çështjet e sigurimit kombëtar, Gjenerali Xhejms Xhons.
Më shumë se 2 mijë e 500 veta nga 96 vende marrin pjesë në forum, objektivi kryesor i të cilëve do të jetë gjetja e mënyrave për stabilizimin dhe ripërtëritjen e ekonomisë globale.
Kryeministri rus Vladimir Putin mbajti fjalimin e hapjes së punimeve.
Themeluesi dhe kryetari i forumit, Klaus Shuab, tha se kriza financiare është e pashembullt. Ai tha se kjo krizë duhet parë si një kushtrim për të reformuar institucionet dhe sistemet globale si dhe mënyrën e të menduarit.