E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Politika reformatore në fushën e financave, përgjigjia e duhur për krizën globale”

Pjesëmarrja e Kryeministrit Berisha në debatin e CNBC, ngjall interesin e mediave prestigjioze ndërkombëtare

TIRANE - Para fillimit të debatit, Kryeministri Berisha u intervistua nga Televizioni “Bloomberg”, Agjencia e Lajmeve “Associated Press”, gazeta “Wall Street Journal” dhe Radio “Swiss” në lidhje me reagimin që ka pasur e do të ketë ekonomia shqiptare kundrejt krizës ekonomike botërore, duke qenë se Shqipëria është ndër vendet e pakta që vazhdon të ketë rritje ekonomike, si dhe për politikat që duhet të ndërmarrin ekonomitë botërore.
Kryeministri Berisha u shpreh se ekonomia shqiptare po ecën mjaft mirë, me një rritje ekonomike 9.9 për qind, por që, sigurisht, do të pasqyrojë krizën ekonomike në një rënie ndoshta të eksporteve, importeve dhe të ardhurave nga emigrantët, por, duke qenë se Shqipëria ka ende shumë burime për t’u shfrytëzuar dhe shumë projekte që kanë marrë rrugën e zhvillimit, ka optimizëm për të pasur rritje ekonomike të mëtejshme.     
I pyetur se në një rast si ky, i krizës ekonomike botërore, a do të ishte proteksionizmi politika e duhur që duhej të ndërmerrej në tregjet financiare, kryeministri Berisha u shpreh se, “nuk mendoj se proteksionizmi do të ishte rruga e duhur për të shkuar drejt zgjidhjes së krizës aktuale dhe evidentoi si përgjegjës për këtë inefiçencën e rregullave ekzistuese të tregjeve financiare”.
Kryeministri Berisha tha se një Martin Luther i ri për financat, pra, një politikë reformatore në fushën e financave, do të ishte përgjigjja e duhur. “Ndonëse përfundimisht përpjekje nga vende të veçanta janë të domosdoshme dhe të dobishme, një përqasje globale ndaj krizës është e nevojshme. Kjo është një krizë e rëndë, por dalja prej saj duhet të nisë nga besimi. Paniku është absolutisht faktori më agravues i kësaj krize”, tha kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha tha se ideja e bankave të këqija mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës së besimit, e cila është një faktor madhor në paqëndrueshmërinë e tregjeve financiare botërore. “Nuk mund të them nëse do të funksionojë në Shtetet e Bashkuara për shkak të përmasave të mëdha të  krizës, por në Suedi ajo funksionoi dhe jo vetëm në Suedi, por edhe në disa vende të tjera”, u shpreh kryeministri për gazetarët. “Mendoj se Presidenti Barak Obama e ka këtë ide dhe kjo mund të jetë e dobishme për të dëshmuar se jo të gjitha bankat janë të prekura nga kriza”, tha më tej kryeministri, duke shprehur bindjen se betimi i Presidentit Obama do të ketë një efekt të qartë pozitiv në rritjen e besimit.
Kryeministri Berisha po ndjek Forumin Ekonomik Botëror në Davos (Zvicër), gjatë të cilit do të marrë pjesë në disa nga panelet e këtij Forumi, si dhe do të takohet me personalitete të larta politike dhe të fushës së financës dhe ekonomisë, pjesëmarrës në Forum.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›