E Diel, 1 Nëntor 2026

Gënjeshtrat treditore të Edvinit në linjën “Strasburg-Tiranë”

Opozita qesharake e Edvinit, e cila po merr oksigjen politik nga gënjeshtrat treditore, herë me aksidente që i shet si vrasje, herë me fatura personale energjie, që i shpall si të vjedhura e herë me ulje pagash e pensionesh, kur e vërteta është se ato po dyfishohen, dje ka marrë një demaskim të fortë nga Këshilli i Evropës. Socialistët u shndërruan qesharakë në sytë e Perëndimit dhe para shqiptarëve, por Edvini s’ka rrugë tjetër, përveç sponsorizimit të gënjeshtrave të vogla, të paktën deri me afrimin e zgjedhjeve. Ai do të shkojë me një rezultat të përgjysmuar, por të paktën në parlament do të garantojë mbrojtje politike, për disa nga hajdutët e bashkisë, të cilët kanë më shumë nevojë se kurrë

Opozita e Edvinit ka rënë në një derexhe, ku s’ka më skrupuj dhe është e lumtur të varet pas çfarëdolloj gënjeshtre në tregun politik, mjafton të jetë ajo edhe treditore. Mungesa e alternativave po e detyron Edvinin që për të deklaruar se është ende politikisht gjallë, të mbështesë edhe mashtrime të tilla absurde, që vinin nga deputeti Islami dhe rrethe mediatike të Tiranës, lidhur me ngrirjen e kredencialeve të delegacionit të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Çdo gjë mbetej e qartë si drita e diellit e nëse kishte ndonjë gjë për t’u diskutuar, ai kishte si fushë beteje gardhin brenda mazhorancës, por dëshpërimi nuk e lë Edvinin të respektojë “par condicio”-n. Krejt i shfaktorizuar, ai u mbështet tek kjo gënjeshtra treditore, njëlloj si më herët u mbështetet tek çështja “(hiç)Fazlliç” apo më herët akoma tek “vrasja shtetërore e Kosta Trebickës”. Më herët në tregun socialist kanë dalë edhe gënjeshtra më të vogla, si ato për faturat e energjisë së Ilir Beqjes, uljen “reale” të pensioneve të fshatit a të minatorëve, por analistët edhe justifikoheshin, duke ia blatuar mashtrimin, një përllogaritjeje teknike. 

Por afrimi i zgjedhjeve e ka rënduar politikëbërjen në PS. Edvini s’ka asnjë ide dhe as rrugëtimi jeshil fshatrave të Shqipërisë nuk e ka ndihmuar të prodhojë ndonjë alternativë. Prandaj aq i bën se në emër të tij, broçkullat në parlament i thotë Taulant Balla, në selinë e PS-së Mimi Kodheli apo në Strasburg Kastriot Islami. Gjithçka bëhet për një gënjeshtër treditore. Më pas vjen gjithmonë mungesa e ndjesës për mashtrimet me qytetarin, por edhe për bllokimet që i ndodhin aspiratës së përbashkët për integrim nga kjo sjellje e papërgjegjshme. 

Opozita që ushqehet me gënjeshtra treditore dje ka marrë një demaskim flagrant nga rezoluta e Komisionit të Rregullores në KE, por gjasat janë që askush të mos skuqet, as Kastriot Islami të mos ketë drojë se do të penalizohet politikisht e as Edvini të dalë e të thotë se opozita e kishte gabim. Nga papërgjegjshmëria mbetet veç njolla që edvinistët na vunë në Evropë, por edhe bindja e të gjithë qytetarëve se me këtë opozitë s’do të mund të shkohet asgjëkundi. Të paktën, kjo pjesa e dytë e analizës është i vetmi faktor pozitiv, pasi prej këndej do të vijë edhe minimizimi i peshës elektorale të opozitës treditore pas zgjedhjeve të 28 qershorit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›