E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria në Davos, si një vend i paprekur nga kriza, ofron shembullin e një ekonomie klasike”

Intervistë e Kryeministrit Berisha dhënë për TVSH gjatë Forumit të Davosit

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar nga Zvicra, se Shqipëria shkon në forumin ekonomik të Davosit, si një vend i paprekur nga kriza, si një vend që ofron shembullin e një ekonomie klasike, ku tregjet derivateve janë duke u mbajtur mirë.
Gjatë një interviste për TVSH nga Davosi, kreu i qeverisë Berisha, vuri në dukje se
sistemi bankar i Shqipërisë funksionoi mbi bazën e rregullave klasike, pra kredi jo më shumë se 50-70 për qind të depozitave, në kohën kur të tjerët i kanë lejuar vetes të japin 3-4 për qind më shumë sesa kanë depozita.
“Nga ana tjetër, në Shqipëri nuk u zhvillua tregu i derivateve. Pra Shqipëria, ndonëse një vend i hapur, por përfiton edhe nga stadi në të cilën ndodhet ekonomia e saj. Natyrisht, mund të ndikojnë faktorë si eksportet, sepse rënia e fuqisë blerëse në botë prek eksportet, remitancat që vijnë nga emigracioni, edhe ato mund të njohin kufizime, por në tërësi, ekonomia shqiptare nuk do të përjetojë krizën e ekonomive të mëdha, sepse ka edhe ajo avantazhet e veta. Për shembull, kjo është një periudhë ku kemi një prodhim energjie që nuk e kemi pasur ndonjëherë, një periudhë në të cilën ekonomia po merr energjinë e nevojshme me të gjithë fuqinë e saj”, u shpreh kryeministri.
Shefi i ekzekutivit theksoi se Shqipëria është një nga vendet që porsa u përket
investimeve, nuk kemi shembull.
“Shqipëria ka investuar 10-32 për qind të buxhetit të saj, ajo është qeveria që rreshtohet e dyta për sa i përket investimeve. Sot, një nga tendencat kryesore është shtimi i investimeve dhe ne po e bëjmë këtë, ulja e taksave, etj. Unë mendoj se parimet mbi të cilat është e vendosur reforma e ekonomisë shqiptare, janë parime anti krizë.
Ka një debat, për zgjidhjen e kësaj krize, nëse duhet të zbatohen rregullat ekzistuese, të cilat në mënyrë evidente nuk janë zbatuar, apo duhen të shkruhen disa rregulla të reja. Jam i mendimit se duhen disa rregulla të reja, sepse është shumë e vështirë t’i bësh të besueshme dhe të ngjallësh rregulla të cilat lejuan të zhvillohet kjo krizë. Cilat do të jenë këto rregulla? Këto teza, këto rregulla do të dalin nga leksioni i daljes nga kriza”, nënvizoi më tej kryeministri Berisha.                    
Në forumin ekonomik të Davosit, marrin pjesë personalitete të larta shtetërore, si kryeministri i Kinës, kryeministri i Japonisë, kryeministri i Rusisë, kryeministri i Britanisë së Madhe, kancelarja Angela Merkel.
Thelbi i debatit në këtë forum ekonomik, ka qenë roli i qeverive në krizat ekonomike dhe mbi mundësinë e ndërhyrjeve të qeverive në forma të ndryshme, në mënyrë që bankat të rimarrin veten.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›