Projektligji i PS, kufijtë detarë të jenë 12 milje nga brigjet tona

Gramoz Ruçi
Propozimi, i firmosur nga kreu i grupit, Ruçi.
Partia Socialiste ka propozuar në Kuvend miratimin e një dispozite ligjore për caktimin e kufirit detar me vendet fqinje. Në propozimin e PS-së, të firmosur nga kreu i Grupit socialist, Gramoz Ruçi, kërkohet që ujërat tona territoriale të përcaktohen me një gjerësi prej 12 miljesh detare. Rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese i Marrëveshjes me Greqinë për kufirin detar ka bërë, sipas opozitës, që dy vendet të mos kenë një vijë të përcaktuar. Për këtë qëllim, PS-ja ka propozuar që në nenin 3 të ligjit të miratuar nga qeveria në vitin 2008, të bëhet një ndryshim, në të cilin thuhet se: Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjatësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke, deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi). Në relacionin e Grupit Parlamentar socialist thuhet se në ligjin e miratuar katër vjet më parë nuk ka asnjë nen që lidhet me ujërat territorialë. Sipas PS-së, me shfuqizimin e ligjit nr. 8771 të vitit 2001 në tërësi, dhe në mënyrë të veçantë shfuqizimin e nenit 3 të tij, Shqipëria ka humbur vijën ndarëse të ujërave territoriale, koordinatat e së cilës përcaktoheshin nga ky nen. Me përcaktimin e dhënë në nenin 3 të ligjit 9861, të vitit 2008, kufiri shtetëror përcaktohet me marrëveshje, të cilat ratifikohen nga Kuvendi, apo me traktate dypalëshe ose shumëpalëshe të lidhura me vendet e tjera, thuhet në relacionin e PS-së. Në pikën 3 të draftit të propozuar nga PS-ja thuhet se ujërat e brendshme territoriale të Republikës së Shqipërisë janë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e lumit të Bunës, kepat e përmendur në pikën 2 të këtij neni dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve e lumenjve kufitarë.