E Shtunë, 31 Tetor 2026

Davutoglu në Siri

Nga Express më 09 gusht 2011 në ora 13:01

Ministri i jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka arritur në Damask, ku pritet që të bëjë trysni ndaj qeverisë siriane, për t’i dhënë fund aksioneve të dhunshme ndaj protestuesve anti-qeveritarë.

Aktivistët dhe grupet për të drejtat e njeriut thanë se më shumë se 1700 njerëz kanë vdekur që nga fillimi i kryengritjes kundër regjimit të Bashar al Assadit, në mes të muajit mars.

Turqia është partner i madh tregtar i Sirisë dhe deri së voni aleate e ngushtë e Damaskut.

Kryeministri Rejjep Tayyib Erdogan, që e ka përshkruar kryengritjen siriane si çështje të brendshme të Turqisë, për shkak të vijës kufitare të përbashkët të gjatë 850 kilometra, tha gjatë kësaj jave se Turqisë “po e humb durimin” për shkak të dhunës në Siri.

Autoritetet siriane fajësojnë për dhunën bandat e armatosura, ndërsa zyrtarët thanë se Davutoglu do të marrë një reagim të ashpër në Damask.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, kishte kërkuar më herët nga Ankaraja që të shtojë trysninë ndaj Damaskut.

Vizita e Davutoglut vjen një ditë, pasi që Arabia Saudite, Kuvajti dhe Bahrejni i tërhoqën ambasadorët e tyre në shtëpi, në shenjë proteste ndaj dhunës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›