De Biasin e kënaqin kuqezinjtë

Gianni de Biasi ka shënuar fitoren e parë prej emërimit të tij në krye të Kombëtares shqiptare. Kjo e fundit e fitoi miqësoren përballë Katarit me rezultat 2:1 me golat e realizuara nga Elis Bakaj (46’) dhe Erjon Bogdani nga penalltia (50’).
Trajneri i ekipit kuqezi është shprehur i kënaqur për paraqitjen e të përzgjedhurve. Ai
e ka vlerësuar pozitivisht paraqitjen e bërë nga skuadra në planin taktik, sidomos në fazën mbrojtëse.
“Më duhet të them se skuadra luajti fort dhe e përqendruar, zhvilluam një ndeshje të mirë si në planin fizik edhe në atë taktik. Jam i kënaqur më shumë me nivelin e ndeshjes që bëmë sesa për rezultatin. Realisht kjo paraqitje e skuadrës më bën optimist”, ka deklaruar italiani për mediat shqiptare.
Pavarësisht lojës së mirë, ish trajneri i Torinos dhe i Brescias nuk i ka kursyer edhe kritikat për fazën sulmuese të skuadrës si dhe finalizimin e aksioneve.
“Patëm raste për të shënuar më tepër gola, sidomos në pjesën e parë, por nuk e bëmë. Më vjen keq për këtë dhe shpresoj të mos ndodhë më”, ka thënë trajneri i Shqipërisë, për të cilin kjo ishte ndeshja e dytë në krye të kuqezinjve. Në debutim, De Biasi humbi 2:1 në miqësoren me gjeorgjianët në Tbilis më 29 shkurt.
Miqësoren e radhës ekipi kuqezi do ta zhvillojë më 27 maj kundër përfaqësueses së Iranit. Ky takim do të zhvillohet në Stamboll në orën 19:00.
Bogdani: Fitorja u dedikohet viktimave të Himarës
Ndërsa sulmuesi i ekipit kuqezi, Erjon Bogdani ua ka dedikuar familjeve të viktimave të Himarës fitoren e Shqipërisë në miqësoren ndaj Katarit.
“Ishte një lajm shumë i rëndë për të gjithë shqiptarët, ashtu si edhe për ekipin kombëtar. Realisht u shokuam kur e morëm vesh një ditë para ndeshjes. Duhet të them se e gjithë skuadra u trondit dhe pa diskutim një ngushëllim i sinqertë shkon për të gjitha familjet që preku kjo tragjedi”, është shprehur bomberi.
Me golin e realizuar kundër Katarit, Bogdani ka thyer rekordin duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori të ekipit kuqezi me 16 gola të realizuara, duke lënë pas Alban Bushin dhe Sokol Kushtën.
“Jam i lumtur që shënova, por unë nuk jam nga ata që i numërojnë golat. E rëndësishme ishte që luajtëm mirë dhe zhvilluam një ndeshje të mirë”, ka përfunduar sulmuesi i Shqipërisë.