Lushnja, me të njëjtin buxhet edhe sezonin e ardhshëm
Presidenti Tushe ka pohuar se nuk do të ketë shtim shpenzimesh, por ka garantuar se skuadra do ta arrijë objektivin e ngjitjes në Superligë
Në ambientet sportive në Lushnjë vazhdohet të diskutohet për dështimin e skuadrës së futbollit në ndeshjen me Kukësin dhe në atë shtesë me Apoloninë. Nga tifozët ka pasur edhe akuza direkte për shitje të këtyre ndeshjeve nëpërmjet rrjeteve sociale, por drejtuesit më të lartë të verdhejeshilëve hedhin poshtë gjithçka.
Presidenti Fatos Tushe dhe trajneri Sajmir Malko janë shprehur se këto akuza janë të pavërteta. Numri 1 i Lushnjës, Fatos Tushe, ka bërë të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të bëhet një analizë e hollësishme e sezonit, ku do të dalin përgjegjësit e dështimit të skuadrës: Hedhim poshtë çdo akuzë të njerëzve të ndryshëm për shitje të ndeshjes nga skuadra jonë.
Luajtëm dobët në dy ndeshjet e fundit dhe nuk e arritëm objektivin. Për këtë do të bëjmë një analizë të detajuar dhe secili do të mbajë përgjegjësitë e veta. Nuk mund të them se çfarë do të bëjmë konkretisht në lidhje me stafin teknik të skuadrës apo grupin e futbollistëve, sepse është ende shumë shpejt. Ajo që dua të theksoj është se Lushnja do të jetë pretendente shumë e fortë sezonin e ardhshëm për ta arritur direkt Superligën, – është shprehur presidenti Tushe.
Buxheti Më tej, i ngacmuar për shpenzimet që do të bëhen për sezonin e ri, ai ka saktësuar se Lushnja do të ketë të njëjtin buxhet me atë të sezonit të fundit: Di të them se Lushnjës nuk do ti mungojë mbështetja financiare sezonin e ardhshëm. Nuk do të ketë rritje të buxhetit, sepse ne si bashki kemi edhe punë të tjera për të bërë në qytet, përveç futbollit.
Pra, do të jenë rreth 24 milionë lekë në dispozicion të skuadrës, që ju garantoj se do të jetë më e fortë dhe në fund të kampionatit të ardhshëm do të kemi në dorë një biletë Superlige. Me kalimin e kohës do të qartësohen shumë gjëra që kanë të bëjnë me Lushnjën e sezonit të ardhshëm, ka shtuar kryebashkiaku dhe presidenti Tushe.
Stadiumi Një nga problemet më shqetësuese për momentin në Lushnjë është gjendja e keqe e fushës së stadiumit Roza Haxhiu, që është amortizuar krejtësisht. Nga drejtuesit lushnjarë shpresohet që, me ndihmën e FSHF-së, të ndërrohet tapeti i këtij stadiumi.
I kemi kërkuar presidentit të FSHF-së, z.Armando Duka, që të na ndihmojë për çështjen e fushës. Ai na ka premtuar se, nëse këtë vit nuk nisin punimet për stadiumin e ri në kryeqytet, me siguri Lushnja do të bëhet me fushë të re, – ka sqaruar në fund presidenti i Lushnjës, Fatos Tushe.
