Gramozi, veterani Peçi tërhiqet nga ekipi
Zbritja në Kategorinë e Dytë, përvec zhgënjimit të madh që ka sjellë në opinionin futbolldashës kolonjar, i ka tronditur fort të gjithë futbollistët e këtij ekipi. Shumë prej tyre kanë deklaruar se nuk do të jenë më pjesë e Gramozit, pasi nuk mund të luajnë në kategorinë inferiore. Një nga ata që e pohon këtë fakt është veterani Visi Peçi, i cili shprehet se do të tërhiqet nga futbolli i luajtur.
Në fakt, Peçi e kishte paralajëmruar këtë gjë edhe para ndeshjes me Naftëtarin, në rast se Gramozi do të humbiste. Më vjen shumë keq, që nuk arritëm ta mbanim Gramozin në Kategorinë e Parë. Eshtë një hidhërim i madh, që më detyron të tërhiqem dhe ti var këpucët në gozhdë. Pavarësisht se nuk do të luaj më me fanellën e Gramozit, profesioni im më jep mundësinë që të merrem me futbollin, duke stërvitur ekipet e moshave.
Do të punoj me përkushtim për të nxjerrë elementë cilësorë dhe për ta ndihmuar ekipin e parë. Në një bisedë me trajnerin Ilir Qirjako, i kam komunikuar atij largimin tim, por, edhe pse nuk do të jem më lojtar, do të jem gjithmonë pranë futbollit, – ka thënë shkurt mbrojtësi Visi Peçi, i cili gjatë gjithë karrierës së tij është aktivizuar me Gramozin.
