Kombetarja,fitorja e pare ne eren De Biazi
De Biazi arrin fitoren e parë në stolin kuqezi. Bakaj realizon golin e parë, ndërsa Bogdani të 16-in, duke u bërë shënuesi më i mirë i historisë
Përfaqësuesja kuqezi arrin fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit de Biazi, Bakaj shënon golin e parë pas 24 takimesh me fanellën kuqezi, ndërkohë që Bogdani me penallti vulos fitoren tonë 2-1, duke realizuar edhe golin e 16-të me kombëtaren
Një minute heshtje, një minute për të kujtuar viktimat e tragjedisë së Himarës dhe ka nisur starti kuqezi nën drejtimin e trajnerit de Biazi. Ka kërkuar miqësore dhe keto kanë mbërritur. Me një formacion emergjent (kanë munguar Salihi, Besart Berisha, Ujkani, Teli, Kristi Vangjeli dhe Etrit Berisha), por italiani i kombëtares shqiptare ka nisur lojën me një formacion, i cili mbase do jetë titullar edhe në shtator.
Më konkretisht, pas një minute heshtjeje, kuqezinjtë me shirit të zi në krahë kanë nisur ndeshjen, ku i vetmi që mund të mbronte portën tonë ka qenë Orges Shehi. Dallku në krahun e djathtë, Cana dhe Mërgim Mavraj në qendër dhe Franc Veliu majtas kanë sjellë repartin e mbrojtjes. Ashtu skundër ish parashikuar në qendër të mesfushës kanë qënë Ervin Bulku dhe Sabien Lilaj, ndërkohë që krahët janë mbuluar nga Bakaj dhe Emilioano Vila .
Në sulm kanë qenë dyshja e parashikuar Bogdani-Edgar Çani. Nën disa foto shumë të vakëta të disa dhjetëra tifozëve kuqezi ka nisur ndeshja, e cila të paktën në 15 minutat e para ka qënë pa shumë histori. Më pas ka nisur një kalvar humbje rastesh për skuadrën tonë. Në 15 minuta, të paktën tri janë evidentë, ku më parë Edgar Çani e pas tij Bakaj e Bogdani kanë humbur raste që duhet të ishin kthyer në gol.
Çudi ka bërë minuta e 28-të, kur Dallku ka depërtuar në zonë, por për pengesa e tij edhe pse ka sjellë habinë e të gjithëve nuk është kthyer në penallti. Megjithatë kanë qenë minuta, ku skuadra jonë ka luajtur mire dhe loja ka qenë e pëlqyeshme. Ka pasur një kundërshtar, i cili për nga fortësia është thuajse i barabartë, por në fushën e lojës skuadra jonë ka treguar supremaci.
Loja vazhdon dhe vetëm në minutën e 35-të Katari merr goditjen e parë nga këndi, ndërkohë kuqezinjtë deri në këto momente kishin ekzekutuar 2 goditje këndi dhe kishin realizuar 5 goditje në portën kundërshtare, kundrejt një të Katarit. Statistika të denja për një lojë, e cila të paktën në pjesën e parë ka folur për kombëtaren tonë.
Për më shumë statistika e e para dhe e vetmja gjuajtje në portë bërë nga skuadra kundërshtare i ka takuar minutës së 35-të, kur portieri Shehi ka devijuar topin në të parën goditje këndi për kundërshtarët. Shumë sforco, shumë lojë, por përfundimisht pjesa e parë ka përfunduar në barazim pa gola, pra 0-0
Pjesa e dytë ka nisur direkt me gol. Në minutën e 46-të, Elis Bakaj ka realizuar për kombëtaren tone. Pa kaluar as 60 sekonda nga nisja e pjesës së dytë, Bakaj ka arritur të shënojë edhe golin e parë me fanellën kuqezi. Entuziazëm te të gjithë futbollistët, por nuk ka mbaruar këtu. Në minutën e 48-të, Ervin Bulku është penguar në zonë dhe këtë herë arbitri nuk ka hezituar, duke akorduar penallti për skuadrën tonë.
Pak polemika, por në fund, shumë i qetë Bogdani ka realizuar golin e dytë dhe njëkohësisht edhe të 16-tin me fanellën kuqezi. Vetëm 4 minuta lojë dhe duket se detyra është realizuar, por ashtu si kemi shënuar, shumë shpejt kemi pësuar. Në minutën e 53-të, Ahmed Mali për Katarin ka shkurtuar diferencën, duke rikthyer edhe një herë makthin e një fitoreje, e cila mund dhe duhet të ish shumë e rëndësishme për kombëtaren shqiptare.
Pjesa tjetër ka qënë më shumë për trajnerët, të cilët kanë nisur edhe zëvendësimet. Menjëherë pas rezultatit 2-1, trajneri i kombëtares shqiptare, de Biazi ka zëvendësuar Bogdanin me Hykën dhe më pas Edgar Çanin me Sadikun, ndërkohë në mesfushë, Hair Zeqiri i ka marrë vendin e Sabien Lilajt. Në fund Andi Lila ka hyrë, duke zëvendësuar Dallkun.
Në lojë edhe Agolli, i cili me më një gjuajtje nga rreth 25 metra ka goditur shtyllën. Megjithatë në fizionominë e ndeshjes thuajse asgjë nuk ka ndryshuar, ku skuadra jonë ka dominuar plotësisht. Në minutën e 30-të të pjesës së dytë goditjet nga këndi kanë qenë 5-3 në favor të kuqezinjve, ndërkohë që goditjet në portë 11-4 po në favor të skuadrës tonë. Minutat kalojnë gjithçka vazhdon për skuadrën tonë kombëtare.
Në minutën e 84-ët numri i korneve shkon në 6-3 për ne dhe duket se gjithçka ka përfunduar dhe skuadra përfaqësuese po merr fitoren e parë në erën de Biazi. Mbase makthi duhet të përfundonte në minutën e 88-të, kur Lorik Cana me kokë ka gjuajtur me kokë e topi ka kaluar ngjitur me shtyllën kundërshtare. Por nuk ka më kohë e kombëtarja ka mbyllur aventurën e parë ndërkombëtare nën drejtimin e trajnerit de Biazi me fitoren e merituar 2-1.
Një fitore, e cila duhet marrë me doreza e kjo sepse pak lojtarë cilësorë të Katarit kanë qenë në skuadrën përfaqësuese e kjo sepse kampionët vazhdojnë Kupën e Azisë. Megjithatë një fitore, e cila duhet vlerësuar nga ana e skuadrës tonë kombëtare.
Trajneri de Biazi
Një fytyrë e qeshur nga fitorja 2-1, por edhe pak e trishtuar nga fakti se si kanë shkuar ngjarjet, triumfi kuqezi mund e duhet të ish më i thellë. Megjithatë italiani i kombëtares shqiptare ka shikuar fitoren e parë në stol e pas takimit ka deklaruar: Bëmë një ndeshje të mirë nga ana taktike.
Në përgjithësi jam i kënaqur me lojën e skuadrës, por nuk mund të them të njëjtën gjë për rezultatin, ai totalisht nuk iu përgjigj takimit të zhvilluar. Skuadra kish shumë mundësi për të mbyllur ndeshjen e shënuar më shumë gola, por sulmuesit gabuan shumë. Ish vetëm një miqësore, por në takimet e tjera rastet e shpërdoruara nuk duhet të ndodhin më
