E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi: Abrashi, Kaçe e Gjasula e justifikuan aktivizimin

de biazi fafe 3Nga Gjergj Vyshka

Kontrata nuk më duket çështje në diskutim me presidentin Duka, sepse besoj që edhe ai ka besimin dhe dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin me stafin tim. Kam bindjen që nesër (sot) në drekën e punës do të diskutohet vetëm për Slloveninë dhe Islandën

Xhani De Biazi, italiani i pankinës kuqezi, ka qenë i kënaqur me atë çfarë ka paraqitur kombëtarja dje në miqësoren me Armeninë. I kënaqur jo vetëm për mënyrën e të luajturit, teksa ka pasur mundësinë e provës së tre skemave, aq më tepër që në shtator do të ketë dy ndeshje miqësore në transfertë, me Slloveninë dhe Islandën, atje ku pritet të gozhdohet vendi i dytë, që do të thotë kalimi në Play-off të Botërorit.

Jo vetëm kaq, por më tepër se sa kontrata, sot në drekën e punës me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të diskutohet, gjithnjë sipas asaj që tha në konferencën për shtyp të pas ndeshjes, De Biazi, për këto dy ndeshje.

Abrashi, Kaçe, Gjasula, por dhe lojtarët e rinj të tjerë që luajtën, e kanë justifikuar besimin e De Biazit, që i ka dhënë dhe një urim Kukësit dhe Skënderbeut, në prag të Play-off të Ligës së Evropës. Ja dhe se çfarë deklaroi italiani i kombëtares, De Biazi, në konferencën për shtyp të pas ndeshjes me Armeninë.

-          Çfarë ju pëlqeu dhe çfarë nuk ju pëlqeu nga paraqitja e kombëtares në miqësoren me Armeninë?

-          Ndeshja më pëlqeu, sepse kemi luajtur mirë edhe në kushtet kur nuk jemi ende në gjendjen tonë më të mirë fizike, aq më shumë që të gjithë vijnë nga një periudhë e gjatë përgatitore. Pjesa tjetër çfarë nuk më pëlqeu ishte luajtja e topit të gjatë nga mbrojtja në sulm.

Përkundrazi ne duhet ta qarkullonim atë nga mbrojtja, në mesfushë dhe në sulm për të shkuar me mendim në sulm. Megjithatë e rëndësishme është që u fitua dhe u bë një ndeshje shumë e mirë.

-          Si mund të komentohet paraqitja e Abrashit, Kaçes dhe Gjasulës?

-          Abrashi e luajti ndeshjen si titullar dhe përgjithësisht bëri gjithçka mirë në qendër të mesfushës. Për Kaçen mund të them se është një lojtar që i përket së ardhmes së kombëtares. Kurse Gjasula, duhet të kuptoni që sapo ka shkuar te Liteksi dhe i duhet ende kohë jo vetëm që të fitojë ritmin e punës së kësaj skuadre, por dhe të jetë në qind për qindëshin e formës së vet. Megjithatë të tre janë lojtarë të perspektivës.

-          Januzaj dhe Kapllani dyshja e sulmit për herë të parë…

-          Është e vërtet që luajnë për herë të parë bashkë, Januzaj e ka luajtur të gjithë ndeshje, kurse Kapllani u zëvëndësua. Por unë jam i kënaqur. Mund dhe ta kisha hequr Januzajn, por nuk kishim më ndërrime.

-          E keni nisur me 4-4-2, më pas 4-5-1 dhe më vonë 4-3-3…

-          Kjo është e vërtet, sepse kemi provuar 4-5-1, kur ishim në mbrojtje, dhe 4-3-3 në sulm. Jam i kënaqur me Gashin në të djathtë, apo dhe Gjasulën në të majtë, sepse që të dy luajtën dhe mirë taktikisht.

-          Si i parashikoni dy ndeshjet e ardhshme me Slloveninë dhe Islandën?

-          Janë dhe tre javë deri në zhvillimin e këtyre ndeshjeve dhe ne kërkojmë nga këto dy ndeshje atë që kërkojnë të gjithë. Pra marrjen e pikëve dhe sigurimin e vendit të dytë, sepse më pas do të kemi mundësinë që të administrojmë më mirë ndeshjen që do të kemi në shtëpinë tonë me Zvicrën dhe transfertën e Qipros në tetor.

Ajo që duhet të them është fakti se ndryshe nga 12 muaj më parë, kur kemi luajtur në të njëjtën kohë miqësoren me Moldavinë, mund të them që jemi një skuadër tjetër.Nëse një vit më parë mezi prisja të mbaronte kjo miqësore, tani mund të them që e kemi merituar fitoren dhe mund edhe të kishim shënuar gola të tjerë. Kemi lojtar të rinj, cilësisht të mirë, të cilët do ti përgjigjen së ardhmes së kësaj kombëtareje.

-          Varet kontratat nga ndeshjet me Slloveninë dhe Islandën?

-          Unë e thash dhe më parë që kemi dhe tre javë deri në zhvillimin e këtyre ndeshjeve. Unë nuk besoj se do të jetë çështje në diskutim kontrata ime, sepse një akord do ta kemi dhe e di që Duka beson te stafi im. Kemi lënë dhe një diskutim të sotëm me të

-          Që do të thotë firmë mbi kontratë?

-          Eshtë drekë punë, por që do të jetë për Slloveninë dhe Islandën.

-          Kukësi dhe Skënderbeu, a duhet të kenë lojtarë në kombëtare

-          Unë i njoh lojtarët e të dy skuadrave, aq më tepër që i kam pasur dhe në grumbullimin që kemi bërë në janar 2012. Madje lojtarë të Skënderbeut kanë qenë dhe në këtë miqësore. Sigurisht që nëse do të bëjnë gjëra fantastike, dera e kombëtares është e hapur për të gjithë. Unë nuk është se nuk i kam ndjekur, qoftë dhe në kampionat, por dhe Kupat e Evropës. Një urim shkon për të dy skuadrat, sepse kanë ndeshje të vështira.

-          Ndoshta një batutë të fundit

-          Eshtë një punë e mirë e bërë si nga Starova, ashtu dhe Cungu, dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse ti uroj suksese në vazhdim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›