E Shtunë, 31 Tetor 2026

US-Open Uilliams do te jete perballe Azarenkas

Finalja e tenisit në “Flashing Midous” do të jetë e nivelit tepër të lartë. Përballë njëra-tjetrës në ndeshjen përfundimtare të “US Openit” do të jenë Viktoria Azarenka e Bjellorusisë dhe Serena Uilliams e SHBA-së.
Në gjysmëfinalen e parë të turneut të fundit Grand Slem për këtë vit, Azarenka kaloi një provë vërtet të vështirë ndaj ruses Maria Sharapova. Një derbi i vërtetë mes dy tenisteve sllave, që u fitua me përmbysje nga bjellorusja.
Sharapova fitoi setin e parë me rezultatin 6-3, veçse Azarenka u tregua tepër e fortë në të dytin duke fituar thellësisht 6-2. Seti vendimtar ishte më i ekuilibruar, por numri 1 i botës, Azarenka, tregoi se gëzon formë më të mirë fizike duke e fituar me rezultatin 6-4.
Për Serena Uilliamsin gjithçka ishte shumë më e lehtë, ndoshta edhe sepse kundërshtatja e saj, italiania Sara Errani, ishte numri 10 në botë.
Amerikania fitoi të dy setet fare thjesht, 6-1 e 6-2, duke shpenzuar vetëm 64 minuta në fushën e lojës dhe duke realizuar 9 herë direkt nga shërbimi. Serena 30-vjeçare do të synojë titullin e saj të 15-të në Grand Slem dhe mund të quhet favorite pavarësisht se Azarenka është numri 1 në botë.
Bilanci mes dy tenisteve është 9 fitore ndaj vetëm 1 në favor të amerikanes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›