E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët e Ferronikelit

Anëtari i ri i Superligës së Kosovës në futboll, Ferronikeli është duke u munduar ta mbulojë sa më shpejt pozitën e trajnerit, të lënë bosh nga Musa Selimi, i cili para pak ditësh dha dorëheqje nga detyra, për shkak se skuadra e tij e nisi mjaft dobët edicionin e ri, pavarësisht përforcimeve të shumta.

Krerët e klubit nga Drenasi tashmë i kanë filluar bisedimet me dy trajnerë të njohur: Fjala është për ish-trajnerin e Prishtinës, Ramiz Krasniqin dhe ish-timonierin e Dritës, Bekim Isufi. Ndërkohë, bisedimet shumë shpejt pritet t’i nisin edhe me trajnerin e njohur, Bylbyl Sokolin, për ta punësuar më pas njërin prej këtyre treve. Por, kandidati më serioz për ta marrë postin e trajnerit të Ferronikelit mbetet Krasniqi.

“Jemi në bisedime me Ramiz Krasniqin e Bekim Isufin. S’ka asgjë konkrete, por vetëm i kemi zhvilluar kontaktet e para. Do të bisedojmë edhe me Bylbyl Sokolin, pastaj do të vendosim përfundimisht, më së largu deri në fillim të javës që po vjen”, tha nënkryetari i klubit, Arton Berisha.

Pas katër xhirove, Ferronikeli zë vendin e dhjetë në tabelë me 3 pikë, respektivisht me një fitore e tri humbje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›