E Shtunë, 31 Tetor 2026

Torres 100

Fernando Torres bëri paraqitjen e tij të 100-të për përfaqësuesen e Spanjës në fitoren e thellë 5-0 në miqësoren ndaj Arabisë Saudite të premten mbrëma. Sulmuesi u bë futbollisti i gjashtë që arriti shifrën e 100 ndeshjeve me La Rojan. Ai thotë se këtë ditë nuk do ta harrojë kurrë dhe tregon se ndihet i privilegjuar që është anëtar i kësaj skuadre të suksesshme.

Sulmuesi i Spanjës, Fernando Torres është shprehur i lumtur që arriti kuotën e 100 paraqitjeve për përfaqësuesen e tij dhe e shënoi atë me stil në fitoren 5-0 ndaj Arabisë Saudite në Estadio Municipal de Pasaron në Galicia.

Torres ka deklaruar se shpreson që edhe bashkëlojtarët e tij të arrijnë numrin prej 100 paraqitjeve për La Rojan. Para duelit të tyre të parë kundër Gjeorgjisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror 2014, skuadra e Vicente del Bosques u përgatit në mënyrën më të mirë të mundshme me fitore të thellë ndaj Arabisë Saudite. Santi Cazorla, Xavi Hernandez, David Villa dhe Pedro Rodriguez – i cili realizoi dy herë – shënuan golat kundër skuadrës vizituese të Frank Rijkaardit.

Por, ishte Torres ai që zgjoi vëmendjen më të madhe gjatë përballjes pasi u bë futbollisti i gjashtë spanjoll që arriti kuotën e 100 paraqitjeve për Spanjën në mbrëmjen kur barti shiritin e kapitenit. “Kjo është një ditë të cilën nuk do ta harroj kurrë, është diçka që më bënë të ndihem krenar”, deklaroi 28 vjeçari që iu bashkua Iker Casillasit, Andoni Zubizarretas, Raul Gonzalezit, Xavit dhe Xabi Alonsos të cilët po ashtu kanë arritur kuotën e 100 paraqitjeve për Spanjën.

“Është shenjë e punës së madhe që bëjmë në mënyrë që të arrijmë të bëjmë 100 paraqitje. Janë edhe disa të tjerë që do ta mbërrijnë pas meje e që janë më të rinj si Sergio Ramos (94 paraqitje) dhe Cesc Fabregas (71)”, u shpreh sulmuesi i Chelseat.

Prej kur bëri debutimin e tij ndërkombëtar në fitoren 3-0 në udhëtim te Portugalia në shtator 2003, El Nino ka shënuar 31 gola për Spanjën. Ai po ashtu ka fituar Euro 2008, Kampionatin botëror 2010 dhe Euro 2012, dika që beson se do të ishte e pamundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve të tij.

“Ky ekip ka luajtur së bashkërisht për një kohë të gjatë dhe kjo e lehtëson arritjen e rezultateve të rëndësishme. Është privilegj të jem një prej këtyre futbollistëve”, theksoi Torres i cili ia la vendin David Villas i cili kurorëzoi rikthimin e tij ndërkombëtar nga lëndimi duke realizuar në minutën e 62-të nga penalltia që ngriti në 52, numrin e golave të tij për La Rojan.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›