De Biazi: Kemi ende shumë për të përmirësuar
Miqësorja ndaj Katarit më dha mjaft përgjigje si trajner, në bazë të të cilave do të vijoj punën dhe do të mundohem të bëj korrigjimet e nevojshme. Mendoj se përtej rezultatit, fitores sonë, si trajner jam i kënaqur nga loja e skuadrës, u shpreh tekniku pas mbërritjes nga Spanja.
Në përgjithësi lojtarët zhvilluam një ndeshje të mirë, me ritëm dhe ditën të dalin me shpejtësi nga krahët, ashtu sikurse u kisha kërkuar. Krijuan mjaft raste të mira për shënim në pjesën parë, pavarësisht se loja përfundoi 0-0. Ndodhi ndryshe në pjesën e dytë, sepse që në fillim të saj arritëm të shënonim dy herë me Bakajn dhe Bogdanin. Patëm edhe raste të tjera për ta thelluar avantazhin, por në fund mbeti në fuqi rezultati 2-1.
E përsëris, fitorja e parë si trajner i Shqipërisë më gëzon, është një moment i veçantë për mua, por ajo që dua të nënvizoj është diçka tjetër: ndeshja më pëlqeu, edhe pse duhet të përmirësohemi më tepër. Çdo ndeshje vlen, qoftë kjo edhe miqësore, sepse nxjerr të dhënat e mia si trajner, marr përgjigjet e nevojshme për lojtarë të veçantë apo mënyra të të luajturit.
daj Katarit, tepër e rëndësishme ishte që të kuptoja sjelljen e skuadrës në fushë, mënyrën sesi kalonte në fazën sulmuese. Në ndryshim nga miqësorja me Gjeorgjinë, kësaj here ishim më të kompletuar, sepse luajti edhe Cana me Bogdanin, dy shtylla të kësaj kombëtareje. Do të bëjmë edhe analizën e detajuar të kësaj miqësoreje me lojtarët, por në tërësi jam i kënaqur me atë që tregoi skuadra ndaj Katarit.
Më tej, De Biazi iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve për miqësoren e radhës me Iranin, që do të luhet më 27 maj në Stamboll, në stadiumin Inony të Beshiktashit. Pres një sfidë shumë më të vështirë se ndaj Katarit – theksoi trajneri -. Irani është tjetër kombëtare, kërkon tjetër angazhim, kjo nuk diskutohet. Ajo çka shpresoj për momentin është që të gjithë futbollistët ti kem në dispozicion, duke qenë se disa prej tyre kanë probleme dëmtimi. Irani pa dyshim është skuadër e fortë, çka e tregon edhe renditja e FIFA-s. E përsëris, do të jetë një ndeshje më e vështirë, megjithatë do të kërkojmë të bëjmë më të mirën Lidhur me paraqitjen e Mavrajt De Biazi ka dhënë këtë përgjigje:
Paraqitja e Mavrajt ishte e mirë, ai luajti në krah të Canës në qendër të mbrojtjes, ndërsa Dallku në të djathtë dhe Veliu në të majtë. Ishte një mbrojtje e paprovuar më parë, por e përsëris që duhet të përmirësohemi më shumë, sikurse në repartet e tjera. Kemi punuar disa ditë për të ndërtuar këtë mbrojtje dhe besoj se kemi bërë një punë të mirë.