E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçahen për Kosovën

Kosova është bërë sebep që marrëdhëniet ndërmjet FIFA-s e UEFA-s të acarohen goxha shumë. Kjo pasi kreu i UEFA-s, Michel Platini po e përkrah Serbinë, duke e kundërshtuar vendimin e FIFA-s, e cila e lejoi Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore. Kjo ka bërë që vendimi të rishqyrtohet, derisa Fadil Vokrri thotë se vendimi nuk do të mund të ndryshojë.

Marrëdhëniet ndërmjet UEFA-s dhe FIFA-s janë acaruar goxha shumë. Shkak i përplasjeve mes udhëheqësve të futbollit evropian dhe atij botëror është bërë Kosova.

Vendimi i FIFA-s që ta lejojë Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, përveçqë ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në Serbi, ka ngjallur reagime të ashpra dhe në UEFA, e cila vazhdimisht i injoron përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare e saj dhe e FIFA-s, duke i dalë në mbështetje Serbisë, e cila e kundërshton fuqishëm pavarësinë e vendit tonë.

Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit, Michel Platini ka deklaruar se vendimi i FIFA-s, që udhëhiqet nga Sepp Blatter, për ta lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore, bie ndesh me statutin e organizatës që ai e udhëheq.

Andaj, francezi ka thënë se vendimi i FIFA-s ishte shumë i ngutshëm, jo i qëlluar, e mbi të gjitha i ndikuar nga politika. “Kjo është thjesht një çështje politike dhe se vendimi është në kundërshtim me Statutin e UEFA-s”, ka deklaruar Platini.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i krerëve të shtëpisë së futbollit botëror. “Ne vetëm e kemi pranuar një kërkesë të një vendi ku luhet futbolli dhe asgjë më shumë, e as më pak”, ka pohuar sekretari gjeneral i FIFA-s, Jerome Valcke.

Në anën tjetër, edhe presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka pranuar se ka ndikuar në Komitetin Ekzekutiv të kësaj organizate që ta lejojë Kosovën të luajë futboll. E për këtë, ai nuk i ka rënë pishman.

“Vendimi që Kosova të mund të luajë ndeshje miqësore është një hap i madh. Kjo nënkupton solidaritet në futboll. Le t’i lëmë të luajnë!”, ka shkruar Blatter në rrjetin social Twitter, deklaratë kjo që është cituar edhe nga media të njohura ndërkombëtare.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Serbisë (FFS) të mërkurën i ka shfrytëzuar përplasjet e saj dhe të UEFA-s me FIFA-n për t’i bindur këto dy organizata që ta rishqyrtojnë vendimin e së martës për Kosovën.

Kryetari i FFS-së, Tomislav Karadzic, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, të mërkurën në Budapest ka zhvilluar takime të ndara, fillimisht me udhëheqës të UEFA-s në krye me Platininë, e më pas me ata të FIFA-s, në krye me Blatterin.

Sipas një komunikate të FFS-së, UEFA i ka dalë në mbështetje të madhe Serbisë, ndërkohë që edhe FIFA është detyruar të lëshojë pe. Sipas njoftimit të transmetuar nga mediat serbe, vendimi për Kosovën fillimisht do të rishqyrtohet në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e më pas edhe në atë të FIFA-s.

Andaj, Karadzic beson se FIFA e UEFA do ta ndryshojnë vendimin dhe se Kosova do të vazhdojë të mbetet e izoluar. “Jam i bindur se kemi gjasa për ta realizuar qëllimin tonë. Do të vazhdojmë të luftojmë...” ka thënë pos të tjerash njeriu i parë i futbollit serb.

Ndërkohë, FFK-ja nuk trembet me faktin se FFS-ja ka marrë premtime nga UEFA e FIFA se vendimi rreth përfaqësueses së Kosovës do të rishqyrtohet. Kreu i FFK-së, Fadil Vokrri thotë se tashmë ‘ka pirë maca ujë’ dhe se ai vendim nuk mund të ndryshohet, por po i bëhet ‘qejfi’ shtetit serb.

“Kurrë hiq nuk do të ndryshohet ai vendim. Unë e kam marrë edhe zyrtarisht konfirmimin nga FIFA dhe ne sot me deshtë luajmë ndeshje miqësore, jo vetëm me vendet që e njohin Kosovën, por me të gjitha ato që janë anëtare të FIFA-s”, deklaroi Vokrri për Express.

Ai foli edhe rreth kundërshtimit që po ia bën Kosovës kreu i UEFA-s, Michel Platini. “Platini le të kundërshtojë sa të dojë. Vendimi është fuqizuar. Platini ka qenë vetë i teti që ka kundërshtuar vendimin në sallë, por kot, sepse kanë qenë pakicë”, përfundoi Vokrri.

Republika Serbe e Bosnjës kërkon ‘privilegje’ nga FIFA, si për Kosovën

Serbët vazhdojnë ta kundërshtojnë në çdo mënyrë vendimin e FIFA-s për Kosovën. Përveç Beogradit, edhe serbët e Republikës Serbe të Bosnjës po tentojnë që ta shfuqizojnë vendimin e FIFA-s.

“Gjëja më e keqe është se Kosovës i është dhënë e drejta për të luajtur ndeshje ndërkombëtare, por megjithatë kjo e ka një të mirë, pasi tani presim që një e drejtë e tillë të na jepet edhe ne. Për këtë presim ndihmë edhe nga Serbia, pasi deri më tani nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë për shkak të situatës delikate”, ka thënë kryetari i futbollit të Republikës Serbe të Bosnjës, Mile Kovacevic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›